Mazhoranca socialiste ka miratuar sot në Kuvend me nxitim, pa votat e kërkuara dhe nën protestën e deputetëve opozitarë, Ligjin e Investimeve Strategjike, ligj në favor të qeveritarëve dhe klientelës së tyre.
Gazmend Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, deklaroi se Ligji i Investimeve Strategjike është interes i mirëfilltë i një grushti oligarkësh dhe një grushti personash, anëtarë të krimit të organizuar. Në përfundim të protestës së opozitës sot në parlament, Bardhi dha një deklaratë për mediat, në të cilën tha:
“Siç e parë, në një seancë ku edhe sipas rregullores së Kuvendit nuk kishte kuorum për votim, rregullorja e përcakton qartë që të hapet procesi i votimit për miratimin e projektligjeve, duhet të kenë votuar pro për prezencën, së paku 71 deputetë.
Deklarohet që janë prezentë 68 deputetë dhe kjo nuk e ndal vrullin e drejtuesve të seancës për të miratuar Ligjin e Investimeve Strategjike , që është interes i mirëfilltë i një grushti oligarkësh dhe një grushti personash, anëtarë të krimit të organizuar që kanë marrë statusin e investitorëve strategjikë.
Sot, në drejtimin e seancës, nuk ishte Ermonela Felaj, ishte përfaqësuesja e pesë oligarkëve që përfitojnë nga Ligji i Investimeve Strategjike dhe i tre grupeve kriminale që përfitojnë po ashtu nga ky ligj.
Dua të ripërsëris që për opozitën është shumë e rëndësishme që parlamenti t’i kthehet normalitetit, t’i kthehet Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, qoftë sa i takon të drejtave kushtetuese të opozitës, qoftë procesit parlamentar.
Dua të deklaroj me përgjegjësi të plotë se sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, sot asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seancë pa u shpallur dhe rezultati i votimit nuk mund të konsiderohet i miratuar ligjërisht.”