Këshilli i Ambasadorëve Amerikan ka botuar këto ditë një raport pas vizitës fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Philip Hughes, përfaqësuesi i këtij grupi që mbledh rreth vetes ambasadorë jo të karrierës, thotë se këto tre shtete të Ballkanit kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por ato vazhdojnë të përballen me sfida nga ndërhyrjet politike të fqinjëve të tyre apo në rastin e Shqipërisë nga kriminaliteti dhe korrupsioni dhe mungesa e një demokracie të mirëfilltë. Zoti Hughes po ashtu foli për vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta shpallur person non-grata liderin e opozitës, Sali Berisha.
Pjesë nga intervista e diplomatit Philip Hughes për Zërin e Amerikës:
Është vështirë për një qeveri që ka avantazhet siç i ka qeveria e Kryeministrit Rama, avantazhet e krijuara për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të mëparshme nga Partia Demokratike, që ka një pozitë të tillë komanduese në aspektin elektoral, të nxisë garë të vërtetë demokratike dhe t’i japë hapësirë palës tjetër. Mungesa e garës së vërtetë demokratike do të shndërrohet në pengesë për Shqipërinë nga ata që hezitojnë ta pranojnë vendin në Bashkimin Evropian për arsye të ndryshme dhe nuk u duhen dhënë arsye të tjera.