Lideri i opozitës, Sali Berishës, duke u ndalur në atë që e cilësoi si “tele turizmat”, tha se 8 milionë turistë kanë vendosur vetëm 1 dollarë për secilin.
Berisha tha se 8 milionë dollarë kanë hyrë në të ardhurat e shtetit, në tatime. Sipas tij, kjo jo se ata nuk kanë shpenzuar secili qindra e qindra dollarë, në mos mijëra, gjatë qëndrimit apo kalimit në Shqipëri.
Lideri i opozitës u shpreh se këto nuk i përfitojnë qytetarët, këto i përfitojnë klanet e qeverisë.
“Ju dëgjoni natë për natë, dhjetëra herë televizionet e kontrolluara nga qeveria, të cilat le t’i quajmë së bashku për mirësi, tele-turizmat.
Por ato kanë me borxh, gjysmën e lajmeve t’ua japin për turizmin, për bukuritë e ndaluara për shqiptarët, për miliona e miliona turistë që hyjnë në këtë vend.
Por asnjë prej tyre nuk ua thotë ndonjëherë se në të ardhurat tuaja qytetarë, 8 milionë turistë kanë vendosur vetëm 1 dollarë për secilin.
8 milionë dollarë kanë hyrë në të ardhurat e shtetit, në tatime.
Kjo, jo se ata nuk kanë shpenzuar secili qindra e qindra dollarë, në mos mijëra, gjatë qëndrimit apo kalimit në Shqipëri.
Por këto qytetarë, nuk i përfitoni ju, këto i përfitojnë klanet e qeverisë.
Këto i përfitojnë investitorët strategjikë të qeverisë, që ngrenë resorte pa taksa e tatime.
Ngrenë resorte, ndërtojnë resorte me narkoeuro, me trafiqet e drogës.
Dhe ata për vite e vite, 15 apo 20 vite, janë pa taksa e tatime.
Prandaj ju nuk merrni më shumë se 1 dollar për turist, si në asnjë vend tjetër të planetit.
A nuk është kjo një vjedhje e tmerrshme? A nuk është ky një abuzim?
Po 8 milionë turistë, sikur vetëm 100 dollarë të kontribuonin me shpenzimet e tyre në të ardhurat e këtij vendi, a e dini se ç’do të thotë kjo miq? Kjo do të thotë 1.1 herë fondi i përgjithshëm i pagave të Shqipërisë.
Pra, rrogat tuaja vetëm me këtë kontribut, do rriteshin 100 përqind, 110 përqind.
Pensionet tuaja do të rriteshin 80, 90 përqind.
Atëherë, në emër tuaj, do t’u them teleturistëve, flisni për turizmin, por flisni edhe për vjedhjen e tmerrshme që Edi Rama me strategjikët e tij, u bën të ardhurave të turizmit.
Thojuni shqiptarëve, se edhe skllevër po të ishin, do u takonte më shumë se 1 dollar për turist.
Më thoni ju mua, atëherë, këto bukuri përrallore që ka, dhe unë ju them që Shqipëria ka bukuritë më përrallore, nuk di ndonjë vend tjetër të ketë bukuritë e saj në brigjet, në male, në lumenj, në kudo.
Çfarë përfitoni ju o qytetarë nga këto bukuri? Ju përfitoni 1 dollarë për turistë o qytetarë, sepse qindra dollarë për turistë i vjedhin klanet e qeverisë me strategjikët e tyre.
A nuk është kjo shndërrim i pasurive publike në një mallkim, përqeshje për qytetarët?
Të gjitha këto vijnë se këtu ligj nuk ka.
Të gjitha këto vijnë se këtu pushtetet janë në dorën e një njeriu.
Të gjitha këto vijnë se ai njeri nuk mendon gjë tjetër, veçse të bëhet supermiliarder, Al-Alabar, etj, etj, duke varfëruar, duke shkretuar gjithnjë e më shumë shqiptarët”, tha Berisha.