Pas rikthimit të normalitetit në punimet e Kuvendit, opozita kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dërgimin në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, e harruar në sirtarët e Kuvendit prej më shumë se një viti.
BIRN
Ish-ministrja Olta Xhaçka u akuzua nga opozita se ka shkelur Kushtetutën, e cila ndalon qartësisht që një deputet të përfitojë nga të mirat publike, pasi bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi, fitoi statusin ‘investitor strategjit' dhe iu dha e drejta e përdorimit të bregdetit për 30 vite me vendim qeverie.
Por, mazhoranca pasi refuzoi fillimisht me votë të çonte mandatin e deputetes socialiste në Kushtetuese, po zvarrit prej më shumë se një viti zbatimin e vendimit të kësaj gjykate.
Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kjo është një “mbrojtje politike” që po i ofrohet deputetes së partisë në pushtet nga Kuvendi.
Në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla ai kërkon zbatimin e këtij vendimi dhe thirrjen e Konferencës së Kryetarëve për të futur në rend dite të seancës më të afërt urdhërin për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mocionit për interpretimin e mandatit.
“Çdo vonesë e mëtejshme e kësaj çështje do të ishte dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet…,” shkruan Bardhi në këtë letër të bërë publike të hënën.
Sipas tij, Kuvendi duke mos zbatuar këtë vendim po shkel të drejtën e pakicës parlamentare, parimet bazë të shtetit ligjor dhe besimin publik tek Gjykata Kushtetuese.
“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara…”- vijon më tej në letrën e tij Bardhi, duke iu referuar arrestimit të kryetarit në detyrë të bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i akuzuar si i përfshirë edhe në tjetërsimin e pronës ku po ndërton bashkëshorti i Xhaçkës.
Në janar të vitit 2023 Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj duke kërkuar që të vendosë për të kundërtën.
Por, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti me justifikime të ndryshme, ndërkohë që mazhoranca shfrytëzoi krizën e re në Kuvend për shkak të protestave të opozitës, si justifikim për shtyrjen e çështjes pa afat.
Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi në korrik një raport, ku i sugjeronte Kryetares së Kuvendit, rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.
Nikolla, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshme parlamentare, përdori justifikime të ndryshme për mosveprimin. Pasi u justifikua në vjeshtë me axhendën e ngjeshur, në dhjetor kabineti i saj i tha BIRN-it se kjo çështje do të shqyrtohej me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend.
Pas një marrëveshje të arritur mes PS-së dhe grupimit politik që përfaqëson Bardhi këtë muaj, opozita i është rikthyer jetës parlamentare të rregullt.