“Hajdute e paskrupullt që bëri burrin investitor strategjik”,- kështu e ka quajtur lideri i opozitës, Sali Berisha, ish-ministren Olta Xhaçka, gjatë fjalës së mbajtur pasditen e kësaj të marte në tubimin qytetar poshtë banesës së tij.
Deklaratat Berisha i dha referuar arrestimit të kryebashkiakut në detyrë, Jorgo Goro, i cili akuzohet për tjetërim të pronës në favor të bashkëshortiti të Xhaçkës, Artan Gaçi.
Lidhur me rastin, Berisha shprehet se pas hekurave duhet të ishte edhe Artan Gaçi, i cili është investitori strategjik për ndërtimin e kompleksit turistik në Himarë.
Berisha: “Çdo ditë që kalon, kjo diktaturë e bazuar në aleancën me krimin, vjedhjen dhe drogën, bëhet edhe më e shëmtuar, edhe më e egër, edhe më e ligë. Çdo shqiptar për interesin e tij më të mirë, për dinjitetin e tij, të shtrojë pyetjen për zhvillimet e fundit.
Si ka mundësi që ish-kryetari i bashkisë Goro burgoset për hotelin e Olta Xhaçkës? Arjan Gaçe Menaxhment Hotel vazhdon funksionon sikur të ishte me kredencialet më të larta. Ndërsa Goro ndodhet në qeli pse firmosi falsifikimet e burrit strategjik të Olta Xhaçkës”.
Lideri i opozitës, u ndal më tej edhe tek legjitimiteti i mandatit të Xhaçkës, teksa u shpreh se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Kryeministri Rama kanë bllokuar heqjen e mandatit për ish-ministren, pasi sipas tij Rama është aksioner i Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj për pronën në Himarë.
Berisha: “Olta, prej 10 muajsh, Edi Rama me Lindën e tij në parlament, bllokon heqjen e mandatit të kësaj hajduteje të paskrupullt, që e bëri burrin strategjik duke vjedhur pronat e qytetarëve të Himarës. Por më falni, pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse Edi Rama, kujtoni pak, kur njëlloj siç mbronte Beqën me gërshërët e thyera dhe pincat e thyera, mbronte vjedhjen e Oltës dhe të shoqit, duke u thënë gazetarëve se nuk ka asnjë ankesë për pronat aty, se gjithçka është në përputhje me ligjin.
Kjo se Edi Rama ishte aksioner i Oltës, i Artanit dhe i të gjithë hajdutëve të bregut.A do pranojmë ne mashtrime të tilla? A do pranojmë ne mbrojtjen që i bën Altin Dumani, ky faqezi që nuk ka nder as moral dhe as ligj, që arreston me urdhër dhe është bërë parzmore me grupin e tij kriminal, i krimeve monstruoze të qeverisë”.
Sakaq, kujtojmë se lidhur me tjetërsimin e pronës në Himarë në favor të Artan Gaçit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la ditën e sotme në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Jorgo Goron, kryebashkiakun në detyrë të Himarës.