Edi Rama vendosi të mos e dorëzojë Olta Xhaçkën duke urdhëruar Parlamentin të votojë kundër dërgimit të mandatit të saj në kushtetuese.
Ramës nuk i dhimbset Xhaçka më shumë se të tjerët rilindas që dorëzon për të shpëtuar veten tij, por mos dorëzimi i saj vjen për shkak se pas strategjikëve qëndron vetë ai, Edi Rama.
Olta Xhaçka është ministre e përlyer edhe në afera të tjera korruptive gjatë kohës që drejtonte ministrinë e Mbrojtjes dhe si e tillë nuk është ndër personat që Rama do ta lëshojë së shpejti.
Vetë Xhaçka ndërkohë që lexoi apologjinë e përgatitur në foltoren e Kuvendit, zbuloi skemën që përdor rilindja për afera korruptive dhe grabitjen e pronave publike përmes “investitorëve” strategjikë.
Xhaçka tha në fjalën e saj se kur u njohëm me Gaçin, vendosëm që njëri të bëhet ministër e tjetri të vijonte biznesin, “bashkëshorti im, i cili është sipërmarrës përpara se të bëhej deputet dhe u rikthye në jetën dhe punën e tij private pasi u largua nga detyra e deputetit, si rezultat i faktit të thjeshtë, se u njohëm dhe u lidhëm familjarisht pikërisht në rrugën e përbashkët të angazhimit politik e nuk mund ta vazhdonim të dy këtë angazhim”, dhe fill pas këtij pohimi deputetja e Ramës mbrojti në mënyrë kontradiktore veten dhe burrin duke pohuar se nuk jemi në konflik interesi.
Pyetjet që do duhej t’i jepte përgjigje Xhaçka është se, a e ka fatin e Artan Gaçit çdo sipërmarrës në këtë vend?
A do mundej në një vend demokratik dhe ku vepron shteti ligjor që bashkëshorti i një anëtari të ekzekutivit të bëhej investitor strategjik, për më tepër me prona, dokumentat e të cilave falsifikohen brenda 5 ditëve?
Pyetjet janë retorike pasi është e ditur që Shqipëria nuk është prej kohësh as shtet ligjor, as demokraci funksionale.
Pjesë nga fjala e strategjikes Xhaçka në Kuvend:
Flitet pët toka shtetërore të falura, flitet për investime falë favoreve qeveritare, flitet për statuse të veçanta personale kur në fakt e gjitha, nga fillimi deri në fund dhe pa asnjë bisht dhe zgjatim të fshehtë, është një leje për një përdorim plazhi nga një sipërmarrje private, pjesë e së cilës është edhe bashkëshorti im, i cili është sipërmarrës përpara se të bëhej deputet dhe u rikthye në jetën dhe punën e tij private pasi u largua nga detyra e deputetit, si rezultat i faktit të thjeshtë, se u njohëm dhe u lidhëm familjarisht pikërisht në rrugën e përbashkët të angazhimit politik e nuk mund ta vazhdonim të dy këtë angazhim.
Pra, as unë, as ne, as bashkëshorti im, as nga shteti nuk është dhënë aspak asnjë status eksluziv, por tërësisht ligjor si dhjetra e dhjetra sipërmarrjeve të tjera, sipërmarrjes ku im shoq është pjesë me investim 100% privat dhe të mbështetur në një dokumentacion 100% transparent dhe të verifikueshëm, pa asnjë vështirësi nëse doni. Nuk është shkelur asnjë ligj dhe nuk është bërë asnjë paligjshmëri apo favorizim i veçantë.
Unë nuk jam dhe nuk kam qënë asnjëherë në asnjë rast në konflikt interesi, dhe këtë nuk e them vetëm unë por e thotë logjika elementare e gjërave, e ka thënë Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, e ka thënë dhe ILDKPI.
Ky nuk është rasti i parë kur ngrihet një dallgë balte ndaj një deputeti për konfliktin e interesit dhe prandaj nuk është e vështirë edhe të gjendjen, të hapen dhe të lexohen vendimet e Gjykatën Kushtetuese për këtë temë, ku nuk ka asnjë rresht ndalesë për familiarët e deputetëve të merren me biznes, njësoj si çdokush tjetër në çdo fushë të sipërmarrjes ku çdokush është i lirë të sprovohet.