Argita Malltezi u shpreh sot gjatë konferencës për shtyp se për çështjen e masave të sigurisë për liderin e opozitës, Sali Berisha dhe për Jamarbër Malltezin, do i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
“Unë sot nuk kam asnjë dyshim për kapjen e sistemit të drejtësisë në të gjithë zinxhirin e saj. Për kapjen e Gjykatës së Lartë, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Por është detyrë e secilit prej nesh të besojmë dhe të shpresojmë për normalitetin.
Ne betejat i bëjmë dita-ditës. Kjo është një betejë për ta fituar. Do fitojmë njëherë këtë betejë dhe nuk kam asnjë dyshim që do fitojmë, pavarësisht se cilat do jenë modalitetet dhe ulje-ngritjet që do kemi,”tha Malltezi.
E pyetur nëse do futet në politikë, ajo tha se nuk do hezitojë të bëjë atë që duhet bërë.
“Unë nuk kam thënë në mënyrë kategorike jo ndonjëherë, kam thënë që politika nuk është në planet e mia të ardhshme. Unë mendoj se kontributi i gjithsecilit mund të jetë edhe pa u angazhuar në politikë, duke mbështetur kauza të caktuara. Kuptohet që unë jam një njeri i angazhuar politik për shkak të rrethanave familjare.
Për sa i përket rrethanave, unë nuk do të hezitoj të bëj atë që duhet të bëj,” theksoi Malltezi.
“Edi Rama dëshiron t’i marrë zgjedhjet pa luftuar. Sigurisht Edi Rama e di se tashmë ka përballë një opozitë të vërtetë. Iku koha kur opozita blihej në pazare të fshehta. Kjo është një betejë e vërtetë dhe Rama e ka të pamundur të përballet.
Koha do e tregojë nëse PD do ngrihet në vitalitetin e nevojshëm për të përballur këtë regjim që duhet shkulur me çdo mjet” deklaroi ajo.