Zbardhen detaje të reja nga operacioni i Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit te Kadastra e Durrësit.
Pesë persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjetër janë në kërkim pasi akuzohen se bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar dokumentet e një toke me sipërfaqe 448,000 m2, në lagjen nr. 15, Durrës.
Në pranga ka rënë edhe ish-kandidati i PS-së në Durrës, Ardit Kërtusha 33-vjeç, ish-kryetar i FRESSH.
Ardit Kërtusha kandidoi për kryetar të PS në Durrës në vitin 2020 dhe më pas u tërhoq nga gara.
31-vjeçari në zgjedhjet e 25 prillit 2023 kapërceu nga PS për te Lulzim Basha, i cili e priti me shumë bujë.
Më 16 maj të 2022, Ardit Kërtusha i shpëtoi një atentati në një lokal të frekuentuar në zonën e Currilave në Durrës në pronësi të këngëtarit Noizy, ku ai mbeti i plagosur. Atentatori ishte me kapuç dhe me dy pistoleta ndërsa qëlloi në drejtim të Kërtushës katër herë. Fatmirësisht autorit iu bllokua arma.
Ardit Kërtusha, së bashku me ish-drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Leonard Kadrimi dhe një zyrtar tjetër me inicialet M. Z., në kërkim, dyshohet se duke shpërdoruar detyrën në ASHK Durrës, kanë lehtësuar tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, bën të ditur Prokuroria.
Ardit Kërtusha, 33 vjeç dhe Gjovalin Ndoci, 44 vjeç, të dy banues në Durrës, akuzohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.