Tabloidi gjerman, “Bild” u ka kushtuar vëmendje protestave të opozitës dhe hetimeve për korrupsion që çuan në arrestimin e disa prej drejtorëve me të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës.
Në një artikull me titull “Tërbim dhe zjarr kundër korrupsionit. Protesta masive në kryeqytetin e Shqipërisë” të shkuar nga gazetari Peter Tiede (i njohur vite më parë për publikimin e përgjimeve të zgjedhjeve në Dibër) thuhet se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po kërcënohet nga një hetim i mundshëm nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion.
“Bild” thekson se përfshirja e mundshme e drejtpërdrejtë e Veliajt ka nxitur protesta nga shoqëria civile dhe opozita. Artikulli vë theksin te paratë e pista dhe çmimet e apartamenteve më të shtrenjta se në Hamburg.
SHKRIMI I PLOTË
Tërbim dhe zjarr kundër korrupsionit
Protesta masive në kryeqytetin e Shqipërisë
Mjete ndezëse dhe zemërim masiv. Mijëra qytetarë kanë dalë prej ditësh në rrugë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Arsyeja: Një skandal i madh korrupsioni po trondit metropolin e Ballkanit Perëndimor. Drejtorët e bashkisë janë arrestuar dhe kryebashkiaku socialist po përballet me hetime. Bëhet fjalë për miliona euro. Edhe për Shqipërinë, qytetarët e së cilës janë mësuar me korrupsionin, ky është një skandal i madh.
Çështja e re: Mijëra persona marshuan para bashkisë të enjten, duke protestuar kundër kryebashkiakut socialist Erion Veliaj (44 vjeç), i cili konsiderohet pasardhësi i preferuar i kryeministrit Edi Rama (59 vjeç). U hodhën mjete ndezëse dhe policisë iu desh të rrethonte administratën e bashkisë.
Çfarë i shtyn njerëzit në rrugë: Drejtuesit kryesorë të bashkisë thuhet se kanë themeluar një kompani përmes emrave të tjerë, të cilët më pas kanë marrë kontrata publike!
Dëmi i njohur deri tani: 25 milionë euro para publike në vendin e dytë më të varfër të Europës! Dyshimet: Thuhet se është i përfshirë edhe kryetari i bashkisë. E gjitha kjo është pjesë e një sërë rastesh korrupsioni në vend që është kthyer në destinacionin e ri të pushimeve të ëndrrave në Mesdhe për mijëra gjermanë.
Prej vitesh ka pasur skandale rreth projekteve të ndërtimit të rrugëve të papërfunduara ose tërësisht të mbiçmuara. Një çështje mbi impiantet e djegies së mbeturinave zien prej muajsh. Fillimisht, 4 milionë euro nga BE shkuan për qendrat e riciklimit dhe kamionët e plehrave në vend, por nuk u dukën ndonjëherë as kamionë plehrash apo qendra riciklimi. Më pas duhet të ndërtoheshin impiante për djegien e mbetjeve. Vetëm për Tiranën deri më tani janë shpenzuar gati 130 milionë euro.
Vetëm se: Projekti nuk ekziston në thelbin e tij. Paratë ende nuk dihet ku shkuan.
Vetëm një muaj më parë, BE bllokoi TË GJITHA subvencionet bujqësore për vendin kandidat në BE.
Arsyeja: Korrupsioni i shfrenuar. Hetuesit e BE-së dhanë alarmin: Fondet thjesht po vidheshin!
Shqipëria renditet e 98-ta në indeksin e korrupsionit të Transparency International, pas Kazakistanit, Lesotos, Maldiveve dhe Marokut!
Një komitet i diplomatëve të lartë amerikanë (Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë) formuloi fillimisht dyshimet“se shtimi i kullave të qytetit është produkt i pastrimit kriminal të parave nga krimi i organizuar, rrjetet e trafikut të drogës dhe korrupsioni që janë bërë shenja dalluese të Shqipërisë post-komuniste”.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser (53 vjeç, SPD) i quajti të martën bandat shqiptare si autore kryesore të trafikut të kokainës në Gjermani.
Fakti është që zyrtarët e lartë tashmë kanë dalë hapur me xhepat e tyre para syve të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Kjo është një çështje me rëndësi për demonstruesit në Tiranë, ku mijëra apartamente të reja qëndrojnë bosh.
Fakt: Pastrimi i parave i ka rritur çmimet. Toka për ndërtim në qytetin e Tiranës tani është po aq e shtrenjtë sa në zonat kryesore të Hamburgut.