Të enjten e kaluar, Kuvendi Rilindës, pas një zvarritjeje më shumë se njëvjeçare, e hodhi poshtë, me votim të njëanshëm mazhoritar, vendimin Nr. 1 të 23 janarit 2023 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dërgimin për gjykim të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nga Kuvendi në këtë gjykatë.
Mandati i deputetes ishte vënë në diskutim fillimisht që në verën e vitit 2022 nga një grup prej 14 deputetësh demokrate e, më pas, nga një tjetër grup prej 15 demokratësh, duke pretenduar se biznesi turistik në Dhërmi i bashkëshortit të saj, që përfshinte statusin e investitorit strategjik, blerjen e tokave dhe përftimin me vendim qeverie të një sipërfaqeje brezi rëre buzë detit në shërbim të klientëve të hotelit të ardhshëm, përveçse parregullsive e abuzimeve, në vetvete shkaktonte edhe humbjen e vetë mandatit të deputetes, pasi situata përkonte me ndalimin kushtetues të nenit 70, pika 3. Ndërkohë, SPAK filloi e vijon një hetim mbi këto problematika.
Në nëntor 2022, mazhoranca rilindëse e rrëzoi kërkesën e bashkuar të të dy grupeve demokrate për ta përcjellë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese sipas nenit 70 pika 4 e Kushtetutës, për rrjedhojë, grupi prej 14 deputetësh bëri ankim më vete sipas këtij neni, ndërsa në bashkim me grupin tjetër, 28 deputetë bënë ankim të dytë në këtë gjykatë, për të njëjtin thelb, por sipas një procedure tjetër. Dy rrugë e dy procese për të njëjtin qëllim.
Gjykata Kushtetuese, me vendim e saj Nr. 1 i dha të drejtë grupit prej 14 deputetësh dhe fare qartazi i kërkoi Kuvendit që ky, pa hyrë në themel të çështjes, mjaftueshmerisht duke konstatuar plotësimin formal të kërkesës së 14 deputetëve me vendim formal të tij, ta përcillte çcështjen në këtë gjykatë, si e vetmja instancë kompetente për ta trajtuar në themel (pa)pajtueshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka në këtë rast të veçantë.
Me vendimin e saj Nr. 2 të së njëjtës ditë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën tjetër, atë të 28 deputetëve, qoftë se çështja ishte zgjidhur tashme me vendimin Nr. 1 (që rrezonte vendimin mospranues të Kuvendit për 14 deputetët) qoftë se, sipas saj, për papajtueshmëri lidhur me nenin 70 pika 3 veprohet vetëm sipas nenit 70 pika 4 e jo sipas procedurave te tjera.
Ndonëse urdhërimi i Gjykatës Kushtetuese ishte fare, fare i qartë – pra Kuvendi, pa diskutime themeli, duhet ta përcillte në këtë gjykatë kërkesën e 14 deputetëve lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës, kuvendarët rilindës, pas më shumë se një viti zvarritjeje, jo vetëm vendosën mosdërgimin por, në diskutimet e tyre në Komisionin e Mandateve, e akuzuan Gjykatën Kushtetuese se kishte krijuar edhe vakum ligjor, edhe kundërthënie ligjore.
Per t’i hedhur pak yndyrë logjike këtij arbitrariteti acid, mazhoranca rilindëse pretendoi se, ndonëse vendimi Nr. 1 ishte i qartë, gjithsesi, nisur nga precedentët e mëparshëm, kur kjo gjykatë kishte konstatuar se në rast se shkeljet e pretenduara nuk përkonin me pikën 3 te nenit 70, por me pikën 2, atëherë nuk ishte më kjo gjykatë kompetente për të gjykuar mbi mandatin, por vetë Kuvendi. Për rrjedhojë, rilindësit, të cilët mendojnë se nuk ka fare çështje në këtë rast a maksimumi që çështja mund t’i takojë pikës 2 e aspak pikës 3 te nenit 70 të Kushtetutës, mendojnë gjithashtu se nuk ka kuptim që ta çojnë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese se, në fund të fundit, kjo gjykatë do të shpallë gjithsesi moskompetencën e pra, rilindësit nuk është se nuk po respektojnë një vendim të gjykatës, por ata po konsiderojnë të gjitha vendimet e saj e, meqë duhet që t’i respektojnë të gjitha njëherazi, e ato kanë kundërshti me tyre, vendosën përsëri të mos e dërgojnë fare çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Shkurt, në 11 prill 2024 kuvendarët rilindës miratuan në thelb një vendim të njëjtë me atë të 17 nëntorit 2022 e që ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese me 23 janar 2023. Kundërpërgjigje flakë-për-flakë.
Që Kuvendi Rilindës rrëzoi me arrogancë, haptazi e qartazi Gjykatën Kushtetuese të Rilindur, këtë e kupton edhe bufi. Në fakt edhe unë, me të dhënat që kam, mendoj se rasti Xhaçka, njësoj si rasti Leskaj, nuk lidhet me nenin 70 pika 3 të Kushtetutës, për rrjedhojë nuk vihet në diskutim vetë mandati i deputetes, ndërsa mund të vihet ne diskutim vlefshmëria e privilegjeve të përfituara nga biznesi i të shoqit për shkak të mundësisë së konfliktit të interesit në përfitimin e tyre, sipas ligjit përkatës për parandalimin e konfliktit të interesit apo qoftë që rasti mund të ketë edhe çështje penale. Por, sa ç’kam unë kompetencë të gjykoj rënien apo ruajtjen e mandatit të deputetes Xhaçka, aq ka edhe vetë Kuvendi në këtë rast, ndërsa ky ka një dhe vetëm një detyrë - ta përcjellë çështjen te Gjykata Kushtetuese, sipas vendim të padiskutueshëm të kësaj gjykate, i drejtë a i gabuar qoftë. Pikë.
Me shumë gjasa kjo gjykatë do kishte arritur në të njëjtin përfundim si në precedentin e mëparshëm, pra që nuk bëhet mandati i pavlefshëm e megjithatë, ndonëse të sigurt për këtë përfundim, rilindësit e përjashtuan për fare këtë gjykatë nga gjykimi në themel i çështjes.
Ky vendim kaq ekstrem më së pari është një mesazh i qartë për vetë Gjykatën Kushtetuese – Rilindja kërkon shërbim të plotë e bindje të verbër - jo më kot në diskutimet e tyre rilindësit cituan mendimet kundër të dy gjykatësve të tjerë që argumentonin se as 14 deputetët (një e dhjeta) nuk legjitimoheshin në këtë ankim sipas nenit 70 pika 3 – në fakt kështu do e donin vendimin rilindësit.
Natyrisht që rilindësit u acaruan edhe nga kujtesa publike që kryetarja e kësaj gjykate, Holta Zaçaj, bëri tek Zëri i Amerikës më 29 mars 2024 për moszbatimin prej më shumë se një viti të vendimit të asaj gjykate nga Kuvendi. Ndaj, më shumë se mesazh, vendimi i Kuvendit ishte ndëshkim paralajmërues e parandalues për këtë gjykate. Ky ndëshkim është njëherazi mesazh me të njëjtën përmbajtje paralajmëruese e parandaluese për të gjitha gjykatat e prokuroritë e këtij sistemi të rilindur drejtësie.
Një nga mburrjet sistematike të Rilindjes dhe vetëdiferencimi i saj nga qeverisja demokrate është pretendimi se rilindësit zbatojnë pa diskutim, ju pëlqen a jo, vendimet e gjykatave të rilindura. Kështu u shprehën edhe kur diskutuan imunitetin e Sali Berishës në dhjetorin e kaluar, duke evituar diskutimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Gjykatës së Posaçme ne shkelje e rrëmbim të kompetencës paraprake të Kuvendit mbi imunitetin e deputetit. Tre herë me radhë u vetëturpërua Kuvendi rilindës në çështjen Berisha.
Sali Berisha nuk ishte i tyre, ishte e mbetet armiku. Olta Xhaçka është e tyrja, aq më shumë që tek çështja Xhacka rrezikon të implikohet kryerilindësi, Edi Rama. E ky ka ca kohë që pretendon e propagandon se Rilindja është faktori parësor i reformës në drejtësi, reformë që ka rrezuar pandëshkueshmërinë për herë të parë në 110 vite shtet shqiptar, me pas vijnë ndërkombetarët si faktorë. Ai është pra prindi Nr. 1, ndërkombëtaret prindi Nr 2.
E si prind i mirë, i dha një dajak fëmijës Drejtësi të enjten e kaluar. Drejtësia, që nga Gjykata Kushtetuese e çdo instancë a organ tjetër, pati gjithë të premten e të shtunën të reagonte, por as që u ndje. E kaloi dhimbjen në heshtje. Nuk u ndje as Prindi Nr. 2, ky pra që, kur thotë ndonjë fjale a sharje opozita për këtë fare drejtësie, me statuse të dedikuara ka rikujtuar kurdoherë se kur flet drejtësia e re, të gjithë duhet të heshtin. Nuk u ndjenë as gjitonët, shumë OJF a NGO, shumë studio TV, gazetarë e analistë, këta kujdestarë pasionantë të kësaj fëmije të rilindur e që po e rrisin me pekule.
Raportet e Rilindjes me Drejtësinë e rilindur po marrin formë e po qartësohen. E mburrin atë e mburren me te kur ajo godet kundërshtaret opozitare apo tradhtaret mazhoritarë, e qortojnë, e paralajmerojnë (deri edhe ia injorojnë vendimet si ky i Gjykatës Kushtetuese) kur kalon kufirin e gardhit rilindës, caktuar rast për rast nga Kryerilindësi.