Raporti i DASH mbi Shqipërinë meriton të përgëzohet për të vërtetat që ai parashtron! Por konstatimi i tij është tejet i hidhur. Korrupsion në çdo nivel qeverisjeje është fraza kyçe. E thënë ndryshe kemi një qeveri dhe pushtet lokal të korruptuar. Ju mbyten hajdutet na thonë miqtë.
Të gjitha sa po ndodhin në sytë e shqiptarëve janë, inceneratorët, sterilizimi, 5D-ja, TIMS e plot bëma.
Një dekadencë politike dhe korruptive ka përfshirë qeverinë dhe administratën e Edi Rames. Ky zinxhir duhet këputur. Neper të përçohet veç korrupsion.
Të vjedhësh është çështje gare, kush më shumë, kush më shpejt. Të gjitha problemet e ngritura nga opozita per shit-blerjen e votës, presionin, përdorimin e administratës, gjejnë aty pasqyrim. Kapja dhe ndikimi qeveritar mbi to shqetësojnë DASH, pa mendoni sa shqetësojnë shoqërinë shqiptare të mbytur nga propaganda dhe transformimi i të vërtetës drejt gënjeshtrës.
Çështjet e pavarësisë se gjykatave, ndikimi i mazhorancës mbi to janë një tjetër kambanë. Prej tre vitesh gjykata luan me fatin e opozitës duke dëmtuar thelbin e demokracisë në vend. Vula dhe simbolet e PD mbahen peng. Lidershipi i opozitës në vitin elektoral është i gjithi nën goditje a thua se drejtësia nuk mund t’i bënte verifikimet e veta kohë më parë, por veç pak muaj nga zgjedhjet politike.
Themeluesi i pluralizmit është izoluar në kundërshtim me Kushtetutën për t’i denatyruar natyrën pluralizmit, për ta shndërruar atë në fasadë, për të ç’aktivizuar opozitën në përballje.
Drejëesia, që të meritojë besim, nuk mund të vazhdojë të na flasë me parulla, prova e saj e madhe është raporti me qeverinë. Ajo zë cironkat e qeverisë pasi dorëhiqen me urdhër dhe opozitës nuk i lë kusur gati ta asgjësojë.
Edi Rama e bëri të qartë, e synon mandatin e katërt me “Spak dhe turizmin”. Një qeveri, e cila ka fuqi magnetike për të mbledhur, joshur e promovuar të gjithë të korruptuarit e këtij vendi, i dorëzon me qejf disa toga drejtorësh që të krijojë iluzionin e drejtësisë dhe të ushqejë populizmin.
Imazhi i vendit po errësohet nga skandalet, emisioni i RAI 3 është një tjetër provë. Djalli ka dalë nga shishja, atë s’e kontrollon më as Edi Rama. Populli mund t’i bëjë tërbiet të dy.
Raporti i DASH dhe programi i RAI-it janë thjeshtë vetëm dy ngjarjet e fundit të dëshmisë sesi degradon një pushtet absolut në gji të Europes dhe në prehërin e ambasadorëve.
Opozita është sot i vetmi institucion që funksionon si zë dhe shpresë e shoqërisë. Aleanca me të për të gjitha shtresat është shpëtimi. DASH na vuri diagnozën, ilaçet dhe shërimin t’i bëjmë vetë!