Arben Rakipi ka thelluar skandalin me konkursin e pranimit në shkollën e Magjistraturës.
Në fazën e parë të testimit, e cila u mbajt të hënën, u shpallën fitues 79 persona, por vetëm një ditë më pas, lista e fituesve u shtua me 42 emra të tjerë.
Në listën zyrtare të publikuar nga shkolla e Magjistraturës rezultonin 121 fitues për të vijuar konkurrimin në fazën e dytë.
I kapur në skandal, drejtori i shkollës, Arben Rakipi u justifikua se të hënën kishte pasur probleme pajisja e scantronit që korrigjonte tezat dhe pas një korrigjimi të dytë lista u shtua me 42 emra.
Të vendosur përballë këtij skandali, 27 kandidatë firmosën një peticion, ku kërkonin ripërsëritjen e testimit të parë, por Rakipi deklaroi se kjo gjë nuk do të ndodhë dhe njoftoi se sot do të mbahej faza e dytë.
Faza e dytë e provimit ishte parashikuar të zhvillohej në orën 15:00, por drejtori i shkollës së Magjistraturës ka anuluar testimin në minutën e fundit.
Rakipi u ka thënë kandidatëve se provimi nuk do zhvillohet sot, por do shtyhet. Pa dhënë asnjë shpjegim, ai ka shtyrë provimin për një afat të pacaktuar, pasi konkurrentët nuk janë njoftuar për datën kur mund të zhvillohet.
Pra, kemi të bëjmë me një skandal të paimagjinueshëm në shkollën që përgatit magjistratët, prokurorët dhe gjykatësit e ardhshëm.