Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja ka komentuar arrestimet e SPAK dhe raportin mes Ramës dhe Veliajt. Lubonja thotë se është e qartë se kemi të bëjmë me punë të mafies. Ai tha se është një fatkeqësi që ai që konsiderohet si brezi i ri, ka një mani akoma më të madhe për të vjedhur. Sipas tij, nëse SPAK do ishte i pavarur, Veliaj jo vetëm që do të ishte arrestuar, por do i kontrollohej dhe pasuria.
“Ne nuk dimë shumë gjëra se çfarë ndodhin dhe ndërtojmë hamendje. Ne mendojmë se SPAK po vepron me regji. Falcone thotë se mafia ka një fillim dhe një fund. Unë besoj se këta e dinë se çfarë po bëjnë. Që kjo është punë mafie shtetërore nuk kam dyshim. Sesi vjen fundi i aventurierit nuk dihet asnjëherë. Ne sot duhet ta kuptojmë Veliajn. Ky që është brez tjetër është më i korruptuar se ata që quheshin “enveristë”.
Të shikosh drejtorët janë pak a shumë brezi i Veliaj, të vjen keq që ky brez është më katastrofik. Është si ajo historia që nëna i tha djalit që kaq munda të të lë pas, të lashë mësime të mira dhe djali i tha të më kishe lënë pasuri më mirë. Unë vazhdoj të mendoj se SPAK është nën kontroll. Nëse SPAK do të ishte i pavarur, Veliaj duhet të ishte arrestuar dhe duhej të kontrollohej dhe prona e këtyre” – tha Lubonja në emisionin “Open” në News 24.
Duke komentuar aksionet e Prokurorisë së Posaçme si tha se SPAK nuk po prek sistemin, por arreston persona të përveçëm.
“Është sistemi që SPAK-u nuk e ka prekur. Nëse ka bërë korrupsion, Sali Berisha, Ilir Meta, këta e kanë bërë me oligarkinë dhe së fundmi këta po e bëjnë me krimin e organizuar. Gjithë këtë pastrim parash që po bëhet, pasi nuk dalin nga bankat, nuk shoh që SPAK të reagojë përpara këtij mullari. Kap ndonjë kokërr dhe ne kënaqemi. Sistemi nuk është prekur.
Sali Berishës, i gjetën një ku ka vjehrrin… i gjetën edhe atë Bektashin. Ai nuk është kapur, vazhdon dhe ndërton. Ata vazhdojnë, ndërtojnë, pasurohen, blejnë toka, bëjnë Rolling Hills. Në këtë aspekt të më thuash se SPAK-u po vepron, duhet të jemi të kujdesshëm. Koha do ta provojë. Gjithsesi, e pranoj, kur bëhet kaq e rënda situata, diku do rrjedhë ajo e keqja”, – tha Lubonja.