Tregtarët të Belshit e kanë rifilluar edhe sot në mes të shiut, protestën e tyre për të mos lejuar zhvendosjen e tregut industrial 4 km larg nga qyteti.
Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të bindur bashkinë që të heqë dorë nga projekti që i shkatërron ata ekonomikisht dhe ua vështirëson jetën edhe banorëve që do të duhet të shkojnë aq larg për të blerë, asnjë prej kërkesave të tyre nuk është marrë parasysh.
Forca të Policisë kanë dalë për të mbajtur nën kontroll situatën dhe e kanë bllokuar rrugën me blloqe betoni për t'i penguar tregtarët.
Më 29 prill, refuzimi i kryebashkiakut Arif Tafani për t`i pritur në takim, nxiti reagimin e dhjetëra tregtarëve të tregut industrial, të cilët hapën portën e jashtme të bashkisë duke u futur brenda institucionit.
Tregtarët, që janë kundër zhvendosjes nga vendi ku shesin aktualisht për në një treg të ndërtuar 4 km larg qytetit, u përplasën fillimisht me policinë bashkiake, e cila nuk i lejonte të futeshin në institucion.
Më pas hynë në zyrën e sekretarit të bashkisë, Mustafa Çarçiu, duke kërkuar prej tij që të organizojë një takim me kryebashkiakun Arif Tafani.
Por pavarësisht kërkesës së tregtarëve për anulim të vendimit për zhvendosjen e tregut, sekretari i bashkisë Mustafa Çarçiu, nuk dha zgjidhje, duke u shprehur se largimin nga qyteti të tregtarëve e ka vendosur Këshilli Bashkiak.