Vjedhjet me 5D të Veliajt/ Opozita sërish në protestë para Bashkisë së Tiranë

Tuesday, 07 May 2024 10:46
Këtë të martë në orën 11:00 do të mbahet protesta e radhës e opozitës para Bashkisë Tiranë, që kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas dosjes korruptive “5D”.

 

Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, së bashku me të deleguarin politik të Tiranës, Belind Këlliçi, kanë ngjitur gjatë ditës së djeshme në autobusë të ndryshëm në Tiranë posterin ku kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj. 

 

Posterat janë ngjitur edhe nëpër pika të ndryshme nëpër qytet si dhe në tabelat e afishimit të reklamave të ndryshme.

Rikujtojmë se protestat e kaluara janë shoqëruar me tensione të shumta, ku është hedhur edhe molotov në drejtim të godinës së bashkisë.

Ndërkohë javën e kaluar, kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj u pyet për 7 orë në SPAK për aferën e inceneratorëve. Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Veliaj tha se kishte kërkuar prej kohësh një takim me prokurorët e SPAK, duke i cilësuar ata si koleg dhe bashkëpunëtor. Por në një reagim, kreu i SPAK Altin Dumani përgënjeshtroi Veliajn, duke thënë se kryebashkiakut i ishte dërguar një fletë-thirrje që më datë 24 prill.

Login to post comments