Prokuroria nisi sot verifikim të thelluar për Irena Gjokën/ Gjyqtarja rrezikon shkarkimin dhe dënim 1-4 vjet burg

E mërkurë, 08 May 2024 17:00
Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar mesditën e sotme procedurën për verifikimin e thelluar për gjyqtaren e posaçme, Irena Gjoka.
 

Burime nga institucioni i Akuzës konfirmuan se vetëm ditën e sotme kanë marrë në dispozicion materialet paraprake nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe menjëherë kanë nisur procedurat ligjore. 

 

Një ndër hapat kryesorë është dërgimi i letër-porosinë pranë autoriteteve greke, për t’u informuar zyrtarisht për vendimin e gjykatës së Janinës për ndalimin e gjyqtares Irena Gjoka (Mane) që të hyjë për 10 vite në zonën Shengen, pasi përdori pasaportë të falsifikuar si vorio-epirote.

Ky zhvillim nga Prokuroria e Përgjithshme i jep fund bllokimit gati 4-mujor që Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri për verifikimin e të shkuarës problematike të gjyqtares së posaçme.

Në dhjetor të vitit të kaluar, në media u publikuan të dhëna, të cilat tregonin se Irena Gjoka ishte dëbuar nga Greqia në vitin 2002, pasi kishte përdorur dokumenta false. Kjo e dhënë nuk ishte deklaruar prej saj në formularin e Dekriminalizimit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk i vlerësoi këto të dhëna, por zgjodhi të merrte në mbrojtje gjyqtaren e posaçme.

Në 8 Prill të këtij viti, Prokuroria e Përgjithshme mori një kërkesë nga Partia Demokratike për të kryer verifikime të thelluara mbi formularin e Dekriminalizimit të gjyqtares Gjoka.

Në bazë të kësaj kërkese, në 19 Prill, Prokuroria i drejtohet institucionit të emërtesës së gjyqtares, pra Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të kryer një verifikim paraprak dhe për të dorëzuar pranë institucionit të Akuzës formularët origjinalë të Irena Gjokës, me qëllim investigimin pranë autoriteteve greke.

Bazuar në ligjin për Dekriminalizimin, Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte afat 5 ditë për të kthyer përgjigje.

Por, kaluan shumë 5-ditësha dhe KLGJ nuk e përmbushi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Pak ditë më parë, gazeta greke “Protothema” publikoi vendimin e gjykatës greke, që vendosi ndalimin e Irena Gjoka (Manekut) për të hyrë në zonën Shengen për 10 vjet.

Ky zhvillim duket se i dha fund mbrojtjes që KLGJ po i bënte Irena Gjokës dhe e detyroi t’i kthente përgjigje Prokurorisë së Përgjithshme dhe, në këtë mënyrë, t’i hapte rrugën verifikimit të thelluar për Dekriminalizimin e gjyqtares.

Në rast se Prokuroria e Përgjithshme konfirmon zyrtarisht vendimin e dëbimit të Irena Gjokës, ajo jo vetëm rrezikon vendin e punës, por do të përballet edhe me proces gjyqësor për veprën penale të “falsifikimit të formularëve”. Kjo vepër penale parashikon dënim nga 1 deri në 4 vjet burgim.

Login to post comments