'Rama funksionon edhe me pengmarrje'/ Dumani meket përballë pyetjeve të Flamur Nokës: Nuk më janë rritur veshët

E mërkurë, 22 May 2024 15:27
Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi sot në komisionin parlamentar të Ligjeve, lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni.
 

Dumani është përballur me pyetjet e deputetëve, mes të cilëve edhe ato të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka. 

 

Ky i fundit e ka pyetur kreun e SPAK nëse është peng gjëkundi dhe nëse Prokuroria Speciale vepron me urdhërat politikë të Edi Ramës, mbi copëzimin e dosjes së inceneratorëve dhe konçensioneve, si dhe mbi vendosjen nën hetim të disa prej kryetarëve të partive opozitare, përfshi edhe lideri e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Dumani u pyet nga Noka nëse përbën vepër penale fakti që kompanisë së inceneratorit iu dha një bonus 8%.

Një tjetër pyetje e Nokës për Dumanin ishte ajo mbi dosjen Metamorfoza, ku u lëshuan 51 fletë-arreste, janë arrestuar 6 persona. “Kush e dekonspiroi operacionin Ju apo Policia e Shtetit, pasi kjo e fundit ka reaguar”, tha Noka, duke iu drejtuar Dumanit.

Noka tha se po të lexosh transkriptet është shqetësuese sepse një ish-deputet i PS-së që del këtu dhe organizon grup killerash për të vrarë një tjetër ish-deputet të PS-së, na rezulton i përfshirë edhe në dosjen e krimeve elektorale.

“Kush i lidh këto dy ish-deputetë që organizojnë grupe killerash për të vrarë njëri-tjetrin, mos i lidh Kryeministri? Lezha ziente për arrestimin e Arben Ndokës, përpara se jut ë bënit operacionin”, tha Dumani.

Gjithashtu Noka e pyeti Dumanin për fatin e dosjeve 184 dhe 339, që kanë të bëjnë me krimet elektorale. “Për krimet zgjedhore a është e vërtetë që Policia ka referuar pranë SPAK vetëm persona të opozitës dhe a ka persona të pushtetit që janë referuar”, pyeti Noka, kreun e SPAK Dumanin.

Në vijim, Noka e pyeti Dumanin se si i konsideronte prokurimet me negociata të mbyllura.

Reagimi nga Dumani:

Duke marrë fjalën në Komision, Dumani në vend të përgjigjeve ndaj pyetjeve të Nokës, iu sul atij në një mënyrë që për pak u bë e vështirë ta dalloje nga deputetët e Rilindjes. Në vend të përgjigjeve ndaj pyetjeve të Nokës, Dumani filloi të mbronte veten si i zënë në faj dhe kërkonte me ngulm të tregonte se nuk ka ndryshuar, ‘Jam i njëjtë që nga 2008-të, nuk më janë rrit veshët…’,- ishin përgjigjet e kreut të SPAK.

“Unë ngelem i njëjti, si në 2008 kur drejtova Task Force në Prokurori, si sot. Nuk më rriten veshët edhe kur më lavdërojnë edhe më komplementojmë. Përpiqem të bëj më të mirën edhe sot që drejtoj SPAK”, tha Dumani. Ai tha se nuk i ka pasur duart e lidhura as në 2008 dhe as i ka sot në 2024-ën. “Unë jam prokuror, as atëherë dhe as tani nuk i kam duart e lidhura. Nuk ka shans që të ndikojë ndonjë në punën time dhe kolegëve të mi, përfshi këtu edhe politikën”, tha Dumani.

Lidhur me mbajtjen të arrestuar të liderit të opozitës në kundërshtim me Kushtetutën dhe në shkelje të ligjeve, Kreu i SPAK mbeti pa fjalë dhe dhe në vend të përgjigjes përdori një shprehje shabllon, të cilën e dëgjojmë çdo ditë nga ekponentë të Rilindjes dhe media pranë saj, “Çështja është nën hetim dhe nuk mund të komentoj”, tha Dumani.

Përsa i takon hetimeve për inceneratorët, Dumani tha se përgjegjësinë do e zbuloj hetimi. “Jemi në fazën më dinamike të hetimit të inceneratorëve, përfshi këtu edhe për atë bonusin 8%. Ne nuk pushojmë akuza, i drejtohemi Gjykatës”, tha Dumani.

Në vijim ai shtoi se meritat dhe kritikat i takojnë të gjithë stafit të SPAK, të gjithë prokurorëve. “Kur ka vend për tu vlerësuar, duhet të vlerësohemi”, u shpreh Dumani.
Ai u shpreh se nuk është kënaqësi për asnjë prokuror që të çojë njerëz në burg, por ne bëjmë detyrën tonë.

Dumani përjashtoi çdo mundësi që operacioni i fundit të jetë dekonspiruar nga SPAK. “Po si mund të thoni apo të aludoni që kjo çështje penale është dekonspiruar nga SPAK? Është fyese për ne, pasi kemi punuar orar pa orar lidhur me këtë procedim penal”, tha Dumani.

Lidhur me dosjet 339 dhe 184, Dumani tha se nuk ka asnjë lloj dijenije pasi nuk ka qenë as prokuror i çështjes.

“Jemi gati t’iu vemë në dispozicion çdo informacion që kemi mbi çështjen”, tha Dumani.

Login to post comments