I vetëdijshëm për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjit, Dumani kërkon garanci nga Rama: Çfarë do ndodhë me ne pas përfundimit të mandatit

E mërkurë, 22 May 2024 15:35
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dha një pasqyrë të punës së Strukturës së Posaçme gjatë 2023. Halli më i madh i Altin Dumanit vijon të jetë puna pas përfundimit të detyrës aktuale.
 

Kreu i SPAK është i bindur se si shërbëtor politik i Edi Ramës, do të ketë nevojë për mbështetje për ditët që nuk do të jetë më në atë detyrë që është aktualisht dhe në vijimësi, në të gjitha daljet e tij publike, Dumani kërkon me insistim mbrojtje politike pas mbarimit të mandatit. 

 

Dumani është i vetëdijshëm se shkelja e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit gjatë ushtrimit të detyrës si prokuror politik nuk do të jetë e përhershme. Dumani e di që do të vijë një ditë që do japë llogari para ligjit për shkeljen e këtij të fundit dhe kërkon publikisht garanci nga padroni Rama.

Edhe sot, gjatë raportimit në Kuvend, Dumani ka kërkuar shtim të prokurorëve dhe ka këmbëngulur që të ketë një status pas përfundimit të mandatit. Statusi që kërkon Dumani është thjeshtë një vend pune siç e artikulon ai, por kërkesë për imunitet ndaj shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

“Shpresojmë të gjejmë mbështetje nga Kuvendi për shtim të prokurorëve. Nuk dimë çfarë ndodh me ne, s’kemi status pas përfundimit të mandatit. Grupet kriminale janë përfshirë në trafikim të drogave të forta. Grupet kanë aktivitete poli-kriminal, duke përfshirë dhunën për shkak të kontrollit të territorit, komunikimi i koduar, konvertimi i parave në kriptovaluta. Ka shumë grupe kriminale që operojnë përmes call center. Dëmi ndaj viktimave është në mijëra euro. Qytetet më problematike janë Tirana, Elbasani, Durrës, Vlorë, Kurbin, Shkodër, Laç, Fushë Krujë. Në Fushë Krujë ka veprimtari kriminale si vrasja dhe shpërthimet. Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Gjithashtu dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare, ose të të afërmeve të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi”, deklaroi Dumani.

Login to post comments