Erion Veliaj, korrupsion dhe me mbetjet e Kamzës

E mërkurë, 22 May 2024 22:55
Nga Redaksia ‘Plug’
 

Më 23 maj të vitit 2018, Bashkia Kamëz nënshkruan kontratën ‘Për dhënien me koncesion të shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportimit dhe seleksionimit të mbetjeve urbane për qytetin e Kamzës’, me subjektin Alko Impex General Construction. Koncesioni kishte një afat 12-vjecar me vlerë 13.5 milionë euro pa tvsh. 

Sipas kësaj kontrate koncesionare, ky subjekt merrte përsipër pastrimin, grumbullimin, transportimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, si dhe pagesën 29 euro/ton pas TVSH. Alco Impex merrte gjithashtu përsipër ndërtimin e një stacioni transferimi dhe instalimi të impiantit të diferencimit të mbetjeve.

Shërbimi i pastrimit, grumbullimit dhe seleksionimit të mbetjee urbane nëpërmjet impiantit të diferencimit të mbetjeve do të zhvillohet në qytetin e Kamzës, me këto karakteristika:

 
  • Grumbullimi dhe transportimi i mbetjeve urbane dhe tregjeve
  • Larje dhe dezifektim i kontenjereve
  • Mirëmbajtje të vendgrumbullimeve të mbetjeve gjatë ditës
  • Fshirja e rrugëve dhe trotuareve me krahë
  • Fshirje e rrugëve me makineri
  • Larje e rrugëve njëherë në ditë
  • Ndërtimi i stacionit të transferimit dhe instalimi i impiantit të diferencimit të mbetjeve
  • Transportimi dhe depozitimi i mbetjeve në vendet përkatëse të miratuara nga autoritetet përkatëse

Stacion, së bashku me impiantin do të duhej të përfundonte brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të kontratës. 

Koncensionari merr përsipër të zbatojë programin e mëposhtëm kohor të punimeve:

Koncensionari merr përsipër të vërë në punë stacionin e transferimit për seleksionimin e mbetjeve brenda 6 muajve nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate.

Koncesionari merr përsipër të fillojë menjëherë nga dita e nesërme ora 00:01, kryerjen e shërbimit të Pastrimit, grumbullimit dhe depozitimit të mbetjeve sipas zërave të përcaktuar në Aneksin 2 të kësaj kontrate. 

Afati i kryerjes së shërbimit të Pastriit, Grumbullimit, Transportimit dhe depozitimit të mbetjeve është 365 ditë në vit herë 12 vjet nga data e lidhjes së kontratës. 

Por a u zbatua kjo kontratë?

Në vitin 2019, në zgjedhjet vendore, në krye të Bashkisë Kamëz erdhi Rakip Suli, pas një gare pa rival. Rakip Suli si titullar i Autoritetit Kontraktor kishte për detyrë monitorimin e zbatimit të kësaj kontrate koncesionare. 

Në 17 nëntor 2020, Top Channel, asokohe nën drejtimin e Ben Blushit, dhe në koordim me kompaninë Integrated Energy BV SPV publikoi një investigim në emisionin INSIDE STORY.

I pyetur nga gazetarët Rakip Suli do te shprehej se:

Pra, Rakip Suli, në nëntor të vitit 2020, deklaron se kompania Alko Impex nuk kishte zbatuar kushtet e kontratës koncensionare, pasi nuk kishte ndërtuar as pikën e transferimit dhe as impjantin e përpunimit.

I pyetur nga gazetari I Top Channel, Suli deklaroi se Bashkia Kamëz prodhon rreth 80 ton mbetje në ditë dhe se ai nuk kishte dijeni nëse kjo kompani kishte paguar apo jo tarifën e depozitimit të mbetjeve prej 29 eurosh në landfillin e Sharrës.

Emisioni Plug iu drejtua me disa kërkesa për informacion Bashkisë Kamëz.

Emisioni investigatit PLUG, po analizon të dhënat për mbetjet dhe koston e tyre për buxhetet e Bashkive të Qarkut Tiranë.

Sipas të dhënave të mbledhura deri më sot rezulton se Bashkia Kamëz ka lidhur një kontratë koncensionare për pastrimin,grumbulim e metjeve e më pas transefrimin dhe depozitimin e mbetjeve në Lanfillin e Sharrës.

Kontrata Koncensionare është lidhur me kompaninë Alko Impex shpk. Kontrata përcakon se kompania Alko Imex duhet te kryente brenda 6 muajve investimin për nje pikë grumbullimi dhe do duhej të paguante GATE FEE për ton mbetje në Landfillin e Sharrës.

Për sa më sipër do ju luteshim të na vini në dispozicion infarmacionin/dokumentacionin e mëposhtëm:

1-      Dokumentacionin e dorëzuar nga kompania për përfundimin e investimit për pikën e grumbullimit;

2-      Sasinë vjetore të mbetjeve të depozituara në Sharrë për llogari të kësaj kontrate koncensionare;

3-      Pagesat e kryera nga Koncensionari për llogari të kompanisë INTEGRATED ENERGY BV SPV;

4-      Rakordimet vjetore të Bashkisë Kamëz me koncensionarin për depozitimin e mbetjeve dhe vlern e investimit;

5-      Relacionet e NJZP-së për këtë kontratë koncensionare;

6-      A ka patur shkelje të konstatuara të kontratës dhe penalitet e vendosura;

7-      Pagesat e kryera për koncensionarin nga Bashkia Kamëz dhe a janë përfituar të plota deri në ditën e dërgimit të kësaj kërkese;

Bashkia Kamëz pasi refuzoi fillimisht të na vinte në dispozicion informacionin e kerkuar, në email e datës 15 prill 2020 na informon se kontrata koncesionare ishte prishur cuditërisht me kërkesë të vetë koncesionarit. 

Ju bëjme me dije se Bashkia Kamëz ka lidhur kontraten e Koncensionit me datë 23.05.2018  ‘Per dhënien me koncension /PPP të shërbimit të pastrimit , grumbullimit, transportimit dhe seleksionimit të mbetjeve të Bashkisë Kamëz’. Kontrata Koncensionare është zgjidhur në mënyrë të njëanëshme, nga ana Koncensionari dhe nga Bashkia Kamëz janë aplikuar penalitete sipas kontrates duke mbajtur vleren e investimit të parealizuar dhe sigurimin e kontrates.

Ne ju drejtuam sërish për të na vënë në dispozicion informacion më të detajuar në datën 26 prill:

Duke ju falenderuar per pergjigjen do ju luteshim qe ajo te ishte  e plote sipas kerkesave tona per te na vene ne dispozicion dokumentacionin e kerkuar. Nese per ju do ishte me e pershtatshme qe kjo kerkese t’ju dergohej dhe ne forme shkresore ne mbetemi ne dispozicion. Ne pritje te nje pergjigje sa me te shpejte

Në datën 7 dhe 8 maj, Bashkia Kamëz kthen dy përgjigje të një pas njëshme për emisionin Plug, ku sqaron situatën. Në emailin e datës 7 maj, bashkia Kamëz thotë se përgjegjësia për pagesat e depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës ka qenë e kompanisë Koncensionare.

Në Kontratën e Koncensionit me datë 23.05.2018  ‘Për dhënien me koncension /PPP të shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportimit dhe seleksionimit të mbetjeve të Bashkisë Kamëz’, Koncesionari  ka marre përsipër dhe koston e depozimit në një landfill të liçensuar nga autoritet përkatëse. Bashkia Kamëz nuk ka paguar për koston e depozitimit në landfill pasi këtë kosto e ka marrë përsipër kocesionari.

Një ditë më pas, në datën 8 maj bashkia Kamëz ridërgon informacion shtesë, së bashku me kontratën, disa fatura dhe gjobat që sipas saj janë aplikuar për kompaninë koncensionare në mos përmbushje të kontratës.

Kontrata Koncesionare është zgjidhur në mënyrë të njëanshme, nga Koncensionari dhe Bashkia Kamëz ka aplikuar penalitete, duke mbajtur vlerën e investimit të parealizuar 34,897,104 lekë dhe sigurimin e kontrates me vlerë 135,000,000 lekë. Pra në total Bashkia Kamëz  ka mbajtur këto penalitete:

1.  Penalitet për mosndërtimin e stacionit në vlerën 12,791,417 lekë

2.  Penalitet për zbatimin e kontratës 5,409,988 lekë

3.  Vlera e investimit të pakryer 34,897,104 lekë

4.  Sigurimi i kontratës 135,000,000 lekë

Në total janë mbajtur 188,098,509 lekë

Në këtë email, bashkia kamëz pranon gjithashtu se ndërtimi i stacionit të mbetjee urbane nuk është dnërtuar, duke e cilësuar këtë si mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale.

Kompania nuk e ka ndërtuar stacionin e transferimit të mbetjeve urbane. Sipas nenit 10 të kontratës stacioni i transferimit të mbetjeve duhej të ishte ndërtuar brenda 6 muajve nga nënshkrimi i Kontratës, pra  kontrata është nënshkruar në datën 23.05.2018 dhe stacioni I transferimit të mbetjeve duhej të ishtë ndërtuar deri në daten 01.12.2018. Bashkia Kamëz gjatë asaj periudhe nuk e ka mbyllur kontratën por e ka vazhduar zbatimin e saj, duke mos aplikuar asnjë penalitet apo masë tjetër. Çështja ka kaluar në proçes gjyqësor ndërmjet kompanisë dhe Agjensise Rajonale Mjedisore për mospajisjen me Leje Mjedisore për ndërtimin e stacionit. Data e Vendimit te Gjykatës së Shkallës së I-rë  është 26.03.2019 dhe kjo cështje ka kaluar në Gjykatën e Apelit në datën 12.04.2019 , periudhe para se NE të vinim në Bashkin Kamëz.  Pas muajit Gusht 2019 kompania është penalizuar çdo muaj sipas dispozitave të kontratës për mos ndërtimin e stacionit të transeferimit dhe selektimit te mbetjeve duke i mbajtur vlerën edhe për periudhen para vitit 2019 e cila nuk i ishte mbajtur, penalitetet me vlerë 12,791,417 lekë janë mbajtur deri në datën e zgjidhjes së kontratës. Ndodhur para faktit se kontrata është mbyllur në mënyrë të njëanshme nga ana e Koncesionarit, Bashkia Kamez i ka mbajtur vlerën e investimit te parealizuar në vlerën 34,897,104 lekë.

Edhe pse ishte koncesionari ai që nuk kishte përmbushur detyrimin kryesor për ngritjen e stacionit të transferimit dhe instalimit të impantit të diferencimit të mbetjeve, Bashkia Kamëz nuk kishte ndërrmarrë asnjë veprim, sikundër parashikohej në nenin 12 të kontratës koncesionare. 

Neni 12

Zgjidhja e Kontratës së Koncensionit/PPP

12.1. Zgjidhja e njëanshmë e kontratës nga Autoriteti Kontraktues.

Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të zgjidhë kontratën:

12.1.1. Kur koncensionari nuk vendos në punë stacionin e transferimit për seleksionimin e mbetjeve sipas pikës 10.1 të kësaj kontrate. Në këtë rast Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të marrë vlerën e Sigurimit të Kontratës të parashikuar në Nenin 14.

Përkundrazi, ishte vetë koncesionari që tërhiqet nga kontrata. Arsyeja e vetme e këtij veprimi në kundërshtim me kontratën ishte që subjekti t’i shpëtonte hetimit penal, duke paguar thjesht Sigurimin e Kontratës.

Por sipas kontratës koncensionare Autoriteti Kontraktor është i detyruar të bëjë edhe monitorimin e koncensionit nëpërmjet Njësisë së Zbatimit të Projektit.

Në nenin 6.2 të saj kontrata përcakton se:

6.2. Mbikqyrja e përgjithshme e shërbimit

Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të të ushtrojë mbikqyrje të përgjithshme të vazhdueshme gjatë realizimit dhe vënies në punë [...]

Në rast të shkeljeve të Kontratës, të kontstatuara gjatë monitorimit dhe mbikqyrjes së përgjithshme, Koncensionari do të njoftohet me shkrim për masat që do të merren dhe detyrat që do t’i lihen, si dhe mënyrën dhe afatet e zbatimit të tyre. Për realizmin e mbikëqyrjes së përgjithshme të shërbimit (NJZP) titullari i Autoritetit Kontraktues do të autorizojë një grup [...]. NJZP mban proçesverbale dhe situacione mujore [...].

Detyrimet për të cilat kryetari i Bashkisë, Rakip Suli do të duhej të mbikqyrte kontratën përcaktohen në nenin 8.

Neni 8

Detyrimet e Koncensionarit

8.1. Koncensionari është i detyruar të zbatojë Projektin dhe objektin e Kontratës konform termave dhe kushteve të saj.

8.4. Të realizojë investimet e e parashikuara sipas afateve të përcaktuara dhe me cilësinë e kërkuar në Kontratë

8.10. Të mbajë të informuar Autoritetin Kontraktues për çdo rrethanë që mund të ketë ndikim në ecurinë e projektit;

8.15. Konçensionari është I detyruar të paguaj 10% të taksave vendore që lidhen me ndërtimin e stacionit të transferimit;

8.17. Koncensionari do të marrë përsipër koston mbi depozitimin e mbetjeve urbane apo inerte;

Pra, ndryshe nga sa shprehet në intervistën e dhënë për emisionin INSIDE STORY, se ai nuk mund të nderhynte në një marrëdhënie midis Alko Impex dhe Kompanisë së Inceneratorit të Tiranës, Rakip Suli do të duhej të verifikonte nëse koncensionari e ka përmbushur njërin nga detyrimet kryesore, atë të pagesës së depozitimit të mbetjeve.

Megjithëse I informuar nga gazetarët, Suli nuk bëri asnje verifikim megjithëse kompania Alko Impex paguhej edhe për depozitimin e mbetjeve nga Bashkia Kamëz.

Kryetari i Bashkisë Kamëz, në shkelje flagrate të kontratës ka vazhduar të paguajë kompaninë Alko Impex rreth 1.2 milion euro në vit.

Në fund të vitit 2023, Rakip Suli i paditur për një seri shkeljesh në drejtimin e Bashkisë Kamëz do të shprehej për gazetarët në dalje të SPAK-ut se shkonte me dëshirë në organin e akuzës. Dëshirë që i mungoi kur duhej të përmbushte detyrimet ndaj qytetarëve, duke prishur më së pari kontratën për shkelje flagrante. Se cfarë e shtyu Rakip Sulin të shkonte me këmbët e veta drejt ndjekjes penale në vend të Alco Impex këtë duhet ta zbardhë drejtësia, por në vijim PLUG hedh edhe ca më shumë dritë.

Duket se qejfi i Rakip Sulit për të shkuar në SPAK ka një arsye, pasi kolegu i tij i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kishte marrë përsipër të bënte bamirësi me taksat e buxhetin e bashkisë së kryeqytetit për plehrat e kamzës.

Por shkeljet e Bashkisë Kamëz në këtë aferë janë vetëm maja e ajsbergut.

Keni dëgjuar shpesh Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj të shprehet në studio telvizive se është thjeshtë një nga klientët e Inceneratorit të Tiranës.

Faktet që do paraqesim sot faktojnë për të disatën herë se këto deklarata janë një MASHTRIM.

Kontrata koncensionare midis Bashkisë Kamëz dhe kompanisë Alko Impex ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2018, prej asaj date kjo kompani do të duhej të depozitonte mbetjet dhe të paguante tarifën 29 euro për ton në landfillin e sharrës.

Emisioni Plug sot do të publikojë eskluzivisht, komunikimet elektronike midis Bashkisë Tiranë, Klodian Zotos dhe punonjësve të Inceneratorit.

Më datën 29 mars të vitit 2019, Namik Simixhiu I dërgon nje email shtetases Denisa Tollkuçi pasi në portën hyrëse të inceneratorit ishte bllokuar mjeti I kompanisë Alko Impex dhe nuk po lejohej të shkarkonte mbetjet.

2 orë më pas Tollkuçi I shkruan për këtë problematikë Klodian Zotos:

 (Pershendetje,

Mjeti poshte eshte i Alko Impex dhe eshte kerkuar nga Bashkia qe te lejohet te hyje ne Sharre. Ky eshte mjeti qe eshte kapur me mbetjet e Kamzes dhe u vendos qe nuk do te lejohej me te hynte. Ju lutem nje pergjigje sesi do te veprohet qe ti kthej dhe Bashkise nje pergjigje.

Faleminderit)

Rreth një orë më pas vjen përgjigjja e Klodian Zotos:

U komunikua dhe me bashkine dhe ky mjet nuk do lejohet te hyje

Bashkia Tiranë vihet në dijeni në Mars të vitit 2019 se kompania Alko Impex depozitonte mbetjet e Bashkisë Kamëz si mbetje të Bashkisë Tiranë e për rrjedhojë ajo sasi I faturohej dhe paguhej nga kjo e fundit.

Erion Veliaj e dinte qe në vitin 2019 se qytetarët e Tiranës paguanin edhe për mbetjet e Kamzës.

Edhe pse e njoftuar nga koncensionari, Bashkia nuk ndërmerr asnjë masë. Alko Impex vazhdon të ketë në fuqi si kontratën koncensionare të Kamzës ashtu dhe kontratën e lidhur me Bashkinë Tiranë për pastrim e saj.

Në 17 nëntor të vitit 2020, 20 muaj më pas transmetohet emisioni INSIDE STORY.

Në këtë emision publikohen pamje sesi mjetet e kompanisë Alko Impex marrin mbetjet në kamëz dhe më pas I depozitojnë ato në Sharrë si mbetje të Kombinatit.

I vënë nën presion, pasi afera u bë publike Erion Veliaj detyron Taulant Tushën t’i drejtohet koncensionarit pasi mund të kishin pasoja penale.

Më datën 25.11.2020, Taulant Tusha i drejtohet me shkresë zyrtare kompanisë Integrated Energy BV SPV dhe për dijeni kompanisë Alko Impex.

E nderuar znj. Arjola Kodra, Administrator

Bashkia Tiranë në kuadër të plotësimit të detyrimeve ne lidhje me depozitimet e mbetjeve urbane ne landfillin e Sharrës konstaton, se trendi i depozitimeve në këtë objekt nga ana e mjeteve të Operatorit ‘Alko Impex General Construction’ kapërcen ndjeshëm parashikimet dhe pritshmëritë në lidhje me territorin ku ky operator ushtron aktivitetin e tij, referuar kjo Kontratës që Bashkia Tiranë ka me këtë Operator.

Ky trend nuk duhet të kalojë shifrat ditore të depozitimeve prej 165 ton/ditë, e përllogaritur kjo në funksion të detyrimeve që ky operator ka në raport me Kontratën si dhe shtrirjen në teritorrin e parashikuar në kontratë.

Sa më sipër ju bëjmë me dije se cdo tejkalim i shifrave këtu më sipër, nga mjetet që punojnë për llogari të Operatorit Alko Impex, nuk duhet ti faturohet Bashkisë Tiranë dhe do të mbulohet në mënyrë të drejt përdrejtë nga operatori ose nga ana juaj.

Taulan Tusha

Drejtor i përgjithshëm.

Kjo shkresë do ti përcillej stafit të kompanisë Inegrated Energy BV SPV në datën 1 dhjetor.

Më datën 2 dhjetor punonjësja Esjana Çadri dërgon një email shtetasve Elton Bualli dhe Denisa Tollkuçi:

Pershendetje ,

Sot u vura ne dijeni nga Besi ne lidhje me shkresen e ardhur me date 28.11.2020 nga Bashkia Tirane per limitin ditor te operatorit Alko-Impex.

Duke qene se Kompania per javen e katert te muajit nentor e ka kaluar kete limit, si do procedohet? Faleminderit!

Këtij email i përgjigjet i besuari i dy prestanomeve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, drejtori famoz që përfitoi nga AZHBR 300.000 euro për ndertimin e serës në sharrë, Elton Bualli.

Pershendetje,

Sipas bisedes me Klodin rakordimi i javes se katert mos te mbyllet ende derisa te mbyllen disa takime ne nivele me te larta brenda 2 ditesh qe te na jepet me shume informacion. Faleminderit. Eltoni

Pra shkresa e dërguar nga Drejtori i Përgjithshëm i Punëve publike Taulant Tusha nuk po gjente zbatim pasi Klodian Zoto për depozitimet e kompanisë Alko Impex do duhej të diskutonte me NIVELE ME TË LARTA në Bashkinë e Tiranës.

Referuar organigramës së Bashkisë Tiranë, Drejtori I Përgjithshëm i Punëve Publike është në varësi direkte të Kryetarit Erion Veliaj, pra sipas email të Elton Buallit, vendimmarrja për depozitimet e kompanisë Alko Impex do të vinte pas miratimit të Erion Veliaj.

Deri më tani sipas dokumentacionit dhe email-eve që bëmë publike, faktohet se Erion Veliaj kishte dijeni të plotë se kompania Alko Impex nuk paguante për depozitimin e mbetjeve të Bashkisë Kamëz dhe jepte informacion të rremë në fletët e depozitimit duke i faturuar të gjitha për llogari të Bashkisë Tiranë.

I informuar që në mars të vitit 2019, pronari faktik i inceneratorit nuk ndërmori asnjë veprim për të ndaluar këtë paligjshmëri e cila vazhdoi edhe për vitet 2021,2022,2023.

Por sa është vlera e kësaj fature?

Sipas deklarimeve publike të Rakip Sulit Bashkia Kamëz gjeneron rreth 80 ton në ditë.

Kjo e dhënë konfirmohet dhe nga PLANI I PËRGJITHSHËM VENDOR I BASHKISË KAMËZ. Në faqen 115 të tij përcaktohet se:

Bashkia Kamëz ka përcaktuar një normë gjenerimi prej 0.8 kg/banorë/ditë. Bazuar në këtë tregues, bashkia ka vlerësuar se në baza ditore gjenerohen 80-108 ton/ditë ose 39,438 ton / vit të mbeturinave urbane.

Bazuar në këto të dhëna kompania Alko Impex ka depozituar në landfillin e sharrës 39.000 ton mbetje në vit ose 195.000 ton për përiudhën 2019-2023.

Fatura financare e kësaj sasie është 5.655.000 euro pa tvsh. Dhe kjo faturë marramendëse është mbuluar nga fondet e Bashkisë Tiranë.

Emisioni PLUG iu drejtua me një kërkesë për informacion kompanisë Alko Impex por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Edhe pse Erion Veliaj kërkon të shfajësohet duke pretenduar se është vetëm një nga klientët e Inceneratorit të Tiranës, faktet e shumta të publikuara nga emisioni Plugvërtetojnë krejt të kundërtën.

Ashtu sic kemi faktuar më herët se është Erion Veliaj ai që përcakton secila kullë e Tiranës duhet të paguajë për mbetjet;

është ai që bllokon mosfunksionimin e NJZP me qëllim që strukturat shtetërore të mos kontrollojnë zbatimin e kontratës koncensionare;

sot faktuam se ështëpo Erion Veliaj ai që vendosi që mbi 6 milion euro të taksapaguesve të Tiranës të shkojnë në favor të Alko Impex, edhe pse kjo kompani kryente punët për llogari të Bashkisë Kamëz.

SPAK do të duhet të hetojë abuzimin financiar të Erion Veliajt me buxhetin e bashkisë Tiranë, të tregojë senë XHEPAT E KUJT SHKUAN 6 milionë euro, dhe ajo që është më e rëndësishmja të shpjegojë arsyen përse në cdo vendimmarrje që lidhet me pagesat ndaj inceneratorit të Tiranës del emri dhe përfshirja e drejtëpërdrejtë e Erion Veliajt.

Login to post comments