Metamorfoza 3/ Besim Hajdarmataj: Elementi më i rëndësishëm që i mungon hetimit të SPAK

E Enjte, 23 May 2024 12:14
Nga Besim Hajdarmataj 
 

Hetimet e organeve ligjzbatuese kundër krimit të organizuar të profilit të lartë nxisin gjithnjë një reagim pozitiv në opinionin publik dhe një ndjesi vlerësimi për punën e tyre, pavarësisht se ky është roli i tyre kushtetues. 

 

Detajet e dala nga dosja hetimore, e konsideruar në media si “Metamorfoza 3”, dëshmojnë se personazhe të rëndësishëm të grupeve të fuqishme kriminale shqiptare tashmë mbajnë mbi kurriz masa të sigurimit “arrest me burg”, megjithëse shumica prej tyre janë në arrati.

Pavarësisht se është një çështje me interes të lartë shoqëror, ajo që konstatohet nga dokumentat e rrjedhura në media tregon se hetimi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) është mbështetur kryesisht në informacionet e përcjella nga autoritetet franceze dhe belge për përdoruesit e aplikacioneve SKY dhe Enchrochat.

Bisedat mes anëtarëve të grupeve kriminale, siç lexohet në vendimin gjyqësor, i cili gjithësesi nuk duhej të ishte bërë publik, i përkasin kryesisht vitit 2020.

Në dosjen hetimore nuk lexohet ose, të paktën, për aq sa është bërë publike, nuk thuhet asgjë për veprimtarinë e këtyre grupeve kriminale pas vitit 2020, për më tepër kur disa prej emrave që gjenden në vendimin e gjykatës, tashmë rezultojnë të vrarë në atentate të mëvonshme apo të zhdukur.

Kjo e dhënë tregon se SPAK-u është fokusuar kryesisht në informacionet e mesazheve të dekriptuara, pa vijuar më tej me hetimet mbi aktivitetin e paligjshëm të këtyre personazheve, të cilët, duhet pranuar se kanë një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Pra, gjithçka duket se është mbështetur tek materialet e ardhura nga autoritetet e huaja, të cilat “ia zbardhën faqen” Prokurorisë së Posaçme.

Megjithatë, veprimet e përcipta deri në këtë fazë, nuk janë problemi i vetëm në hetimin e këtyre “7 ose më shumë klaneve kriminale”.

Ka një element, i cili mungon tërësisht në dosjen hetimore. Ai që lidhet me bashkëpunimin e këtyre grupeve kriminale me funksionarë shumë të lartë shtetërorë.

Duhet të kthehemi pak në kohë, për të kuptuar konkretisht se përse mungon ky element.

Në vitet 2016-2018, ish-Prokuroria për Krime të Rënda kishte nën hetim disa prej këtyre klaneve kriminale, përfshirë, “Ndoka”, “Avdylaj”, “Bami”, “Gjoka”, “Bajrat” e të tjerë.

Veprimet proaktive në atë kohë tregonin se anëtarë të grupeve kriminale kishin komunikim apo aksese me zyrtarë shumë të lartë shtetërore, ku diskutohej për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit, për emërim drejtorësh policie e shefa komisariatesh, për caktimin e deputetëve e drejtuesve të rëndësishëm institucionesh qendrore apo lokale, miratim lejesh për resorte e ndërtesa shumë-katëshe në qytetet kryesore e në bregdet, e të tjerë.

Këto hetime krijonin dyshimet se grupet kriminale kishin një fuqi shumë të madh në jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Hetimet e kësaj dosjeje zgjatën në kohë, pasi më së pari duhej zbuluar e gjithë skema dhe, ajo që ishte më e rëndësishmja, duheshin kryer në sekret të plotë.

Hetimet e sotme të SPAK-ut kanë një mbështetje shumë pozitive nga trupa e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë që varet nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërsa, hetimet e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda bazoheshin në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, një strukturë tejet vulnerabël ndaj ndikimeve jashtë-institucionale dhe që kishte rrisk të lartë dekonspirimi.

Hetimet e këtyre grupeve u zhvilluan nga disa prokurorë, të gjithë me integritet, por që u larguan nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për shkak të Vetingut apo nëpërmjet transferimeve të paligjshme në prokurori të largëta lokale.

Pas “largimit” të kësaj trupe prokurorësh, ish-Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi në vitin 2018 atë që u konsiderua operacioni “Volvo-4”.

Ishte një operacion që, më shumë se sa procedurial, u zhvillua nën ndikime dhe me “plan politik”.

U arrestuan anëtarë të klaneve Ndoka, Avdylaj, Bajri e të tjerë, por për vepra penale të lehta, të cilat u lejuan atyre që të dilnin nga burgu shumë shpejt.

Copëzimi i hetimeve për disa prej çështjeve dhe nxitimi për të goditur vetëm disa nga këta persona, solli pasojën, që sot, shumë nga të kërkuarit, të jenë duke shijuar jetën në vende ekzotike.

Dosja hetimore, mbi të cilat u mbështet operacioni “Volvo-4”, tregoi se ishin hequr të gjithë fashikujt, ku eksponentët e klaneve kriminale diskutonin hapur dhe “shoqërisht” me politikanët e nivelit të lartë për tjetërsim votash, miratim apo ndryshime ligjore, caktim zyrtarësh të lartë, e të tjerë.

Pavarësisht se operacioni i vitit 2018, i zhvilluar në një kohë kur Prokuroria për Krime të Rënda kishte probleme shumë të mëdha menaxhimi, sërish aktet e hetimeve ndaj klaneve kriminale të periudhës 2016-2018, i janë transferuar Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, që në momentin e krijimit të saj, në vitin 2019.

Ato akte, si rregull, duhet të jenë aty, bashkë me bisedat, komunikimet dhe bashkëpunimin e organizatave kriminale me eksponentë të rëndësishëm politikë.

Brenda SPAK-ut ka prokurorë me integritet, të cilët, jam i bindur, se do të gjejnë nxitjen dhe motivimin për të rimarrë sërish ato hetimet të periudhës 2016-2018 ndaj këtyre klaneve kriminale.

Aty kuptohet qartësisht se si eksponentë të krimit të organizuar, nëpërmjet kanaleve politike e shtetërore, krijuan pasuri miliona e miliona euro, një pjesë të të cilave i kanë vënë në përdorim të organizimit të atentateve ndaj njëri-tjetrit, siç zbuluan komunikimet në Sky/Encrochat.

* Ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda

Login to post comments