'Berisha dhe Malltezi janë 'të burgosur politikë' sipas akteve ndërkombëtare, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës'

Premte, 24 May 2024 13:32
 
 

"Berisha dhe Malltezi janë të burgosur politikë sipas përkufizimeve të akteve ndërkombëtare."

Znj. Argita Malltezi dhe ekipi i avokatëve të liderit të opozitës Sali Berisha dhe të z. Jamarbër Malltezi kanë dalë sot në një konferencë shtypi lidhur me zhvillimet e fundit nga procesi gjyqësor i nisur nga SPAK ndaj tyre, vazhdimin e masës së arrestit si ndaj Berishës, edhe ndaj Malltezit, duke iu referuar veprimeve procedurale që u thanë se u kryen këto dy muaj e sipas  të cilave, u pretendua se ishte e nevojshme mbajtja e kësaj mase. 

 

Në fjalën e saj, znj. Malltezi ndër të tjera theksoi: “Afërmendsh që Gjykata e Posaçme mori vendimin sipas kërkesave të SPAK-ut dhe vendosi mbajtjen në fuqi të masave të arrestit. Do të bëjmë një prezantim të atyre që kanë qenë veprimet procedurale hetimore të kryera nga SPAK, që sipas kësaj prokurorie kanë sjellë nevojën e mbajtjes të masave të arrestit.

E gjithë dosja përfshirë edhe veprimet e fundit, tregon se kjo është një dosje e montuar politikisht, se Berisha dhe Malltezi janë të burgosur politikë sipas përkufizimeve të akteve ndërkombëtare dhe sot do të sjellë para jush, akte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Jua kemi vënë edhe më parë në vëmendje faktin që ky nuk është një hetim gjashtëmujor që është zgjatur për një gjashtëmujor të dytë, por një hetim që ka zgjatur tashmë prej katër vitesh , një hetim që është intensifikuar në varësi të urdhrave politikë të Edi Ramës, siç provohet nga dokumentet e dosjes. 

Sa herë Edi Rama, në mënyrë publike, në Asamblenë e PS apo në Kongresin e PS ka kërkuar që SPAK të veprojë ndaj Sali Berishës, prokurorët politikë, Kraja-Millonai kanë intensifikuar veprimet e tyre siç demonstrohet nga shkresat në fjalë.

Deri tani është provuar me dokumente të pakontestueshme ndërmjet tyre vendime gjyqësore, se dy janë personat që kanë konsumuar vepra penale: Taulant Balla për kallëzim të rremë dhe Edi Rama për shpërdorim të financave publike dhe dëm në 320 mijë euro ndaj shtetit. SPAK nuk procedon asnjerin prej tyre, madje as nuk ua përmend emrin për shkeljet e kryera!”

Login to post comments