Vendimi i NATO-s për Kosovën/ Kurti: Sofja, sikurse para 25 viteve u bë vendtakimi ku Kosova bëri një hap të rëndësishëm drejt..

Hënë, 27 May 2024 16:09
 
 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur falënderim ndaj partnerëve që me votat e tyre i dhanë sot mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Kosova tashmë ka statusin e anëtarët të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”,  ka pohuar ai.
 

Më tej, kryeministri ka përgëzuar të gjithë zyrtarët e shtetit që punuan për këtë arritje, si dhe ka uruar qytetarët e Republikës.

“Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, u shpreh kryeministri.

Ndryshe, Asambleja Parlamentare e NATO-s, ka votuar pro avancimit të statusit të Kosovës në këtë organizatë.

Nga votimi vetëm një votë ishte kundër dhe 14 abstenime.

Kosova deri tash ka qenë anëtare vëzhguese, ndërkaq nga votimi i sotëm do të jetë anëtare e asocuar.

Login to post comments