Rezoluta e PS/ Gjekmarkaj: A thua se 2 faqe letër i ka penguar të luftojnë krimin dhe korrupsionin prej 11 vitesh

Hënë, 27 May 2024 21:18
 
 

Nënkryetari i PD-së dhe i parlamentit Agron Gjekmarkaj, në një lidhje direkte nga parlamenti për emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka folur në lidhje me rezolutën e miratuar nga mazhoranca e Edi Ramës që do të luftojë krimin dhe korrupsionin.

Gjekmarkaj u shpreh se, çdo gjë që lidhet me këtë rezolutë është një enigmë dhe nuk dihet asgjë në lidhje me të. 

‘Kjo rezolutë që paraqitet sot është në kufijtë e një enigme të madhe, por dhe një absurdi.

Në vitin e 11 një qeveri që ka shkuar nga grabitja në grabitje, nga skandali në skandal, një qeveri që mund të thuhet më e korruptuar në këto 34 vite, na fton ne të jemi më të ndershëm, na kërkon të jemi më të drejtë.

Është e turpshme, sepse a thua që nuk janë këta që po qeverisin dhe u duhej një rezolutë që këta të qeverisnin.

A thua se dy faqe letre i kanë penguar që të luftojnë bandat kriminale që kanë vjedhur zgjedhjet, që të mos ndodhin këto që kanë ndodhur me inceneratorët, sterilizimin, bashkinë e Tiranës dhe bashki të tjera.

Pra janë dy faqe letre të një rezolute që ta ndryshojnë Shqipërinë, nga një Shqipëri e krimit, korrupsionit, e qeveritarëve, deputetëve, pushtetarëve të përfshirë në shumë afera, në një qeveri befas të pastër.

Kjo nuk rri as një qiell as një tokë.

Edhe për Komisionin që do të ngrihet është në kufinjtë e enigmës. Ne ende nuk e dimë, bëjnë me shenja që kjo kërkohet prej dikujt dhe nuk na thuhet se kush e do, dhe as ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Thjeshtë kanë folur gjithë ditën duke recituar të njëjtin mesazh që; ata janë të ndershëm, duan drejtësi, duan një Shqipëri të pastër pas 11 vitesh në pushtet, që ju, ne dhe qytetarët e dimë se çfarë ka ndodhur’, tha Agron Gjekmarkaj në SYRI TV.

Login to post comments