Investigimi i ri në RAI3 për marrëveshjen e emigrantëve: Ka politikanë që kanë gjetur Eldoradon në Shqipëri

Tuesday, 28 May 2024 20:28
 
 

Emisioni investigativ 'Report' i RAI3 në Itali rikthehet sërish me fakte të reja lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni mbi emigrantët.

Puntata e dytë e emisionit duket se është gati dhe pritet të transmetohet të dielën. 

‘Pas sulmeve të dy kryeministrave, asaj italiane, Giorgia Meloni dhe atij shqiptar, Edi Rama, i rikthehemi trajtimit të marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Intervistuam kreun e qeverisë shqiptare, i cili pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të Giorgio Mottola-s, madje edhe atyre të mprehta për infiltrimin e mafies shqiptare në qeverinë e tij’, njofton ‘Rai 3’ krahas videos që njofton investigimin në Shqipëri.

Vetë gazetarët kanë paralajmëruar se një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjetëm asgjë në të dhënat e qeverisë.

‘Një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjetëm asgjë në të dhënat e qeverisë. Ky person përmendet në një rast të korrupsionit të zyrtarëve. Ka disa politikanë që kanë gjetur Eldoradon në Shqipëri’, paralajmërohet në klipin e ‘Rai 3’.

Kujtojmë se në investigimin e parë nga ‘Rai 3’, u publikuan dokumente dhe informacione që sipas emisionit ‘Report’, eksponentë të rëndësishëm të qeverisë ‘Rama’ janë të lidhur me botën e krimit dhe të korrupsionit.

Sipas investigimit të RAI3 njeriu kyç në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantet është Sekretari i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, i cili ka mbrojtur më parë njerëz të botës së krimit.

Login to post comments