Berisha: Kullat e drogës, monumente korrupsioni, kanë vendosur tiraninë e çmimeve stratosferike në ndërtim në Shqipëri

Saturday, 01 June 2024 21:37
 
 

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeveritarët se me anë të kullave të drogës, kanë vendosur tiraninë e çmimeve.

‘Kullat e drogës, monumente korrupsioni, kanë vendosur tiraninë e çmimeve stratosferike në ndërtim në Shqipëri’, tha Berisha në fjalën e tij. 

 

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Miqtë e mi, por jo vetëm treguesi i prodhimit vjetor për frymë është më i ulëti në Europë.

Por mjerisht edhe treguesi i konsumit vjetor për frymë është më i ulëti në të gjithë Europën.

Më i ulët disa shkallë se sa ç’e lamë ne në vitin 2013.

Ju garantoj se me këto ritme, Shqipëria rrokulliset në vendet më të varfra të planetit.

Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, analistëve, gazetarëve, opinionistëve, të mos u verbojnë shkëlqim i kullave, veturat luksoze, vilat dhe resortet se ato janë pasuri të ndaluara për kombin tonë.

A e dini ju se studimi i INSTAT-it që fsheh Edi Rama tregon se 51 përqind e të rinjve shqiptarë jetojnë në varfëri dhe rrezik varfërie.

Se mbi 50 përqind e shqiptarëve i kanë mollë të ndaluara pushimet verore.

U kthyen kohërat kur shqiptarët nuk bënin dot një javë pushim.

Hidhni sytë pak, kulla, kulla në të katër anët.

Qeveritarët rrahin gjokset se mbushin valixhet nga kullat e drogës.

Shqipëria renditet e para në Europë për indeksin e ndërtimeve.

Po sa përkthehet, si përkthehet ky indeks në të ardhura për shqiptarët.

Si përkthehet ky tregues, këto ndërtime, në mirësi për shqiptarët?

Jo, miq jo, ato janë fatkeqësi për shqiptarët.

Kullat e drogës, monumente korrupsioni, kanë vendosur tiraninë e çmimeve stratosferike në ndërtim në Shqipëri.

Ato nuk preken, aty nuk blihet, aty është tregu i trafikantëve që blejnë kate të tëra, kurse qytetarët as me dylbi nuk i shohin dot.

Login to post comments