Nëse ka patur një politikë të dështuar të qeverisë Rama, është ajo me taksat. Dikur në opozitë, Partia Socialiste e mbështetur dhe në ideologjinë e majtë premtoi tatimin progresiv për të taksuar më shumë të pasurit e më pak të varfërit.
Por gjatë rrugës, kjo politikë është kthyer përmbys! Taksat më të lira janë për një grusht biznesesh që operojnë në zona ekskluzive dhe fitimi i të pasurve tatohet 8%, ndërsa pagat tatohen me 0, 13 dhe 23%.Politika fiskale përdoret sa herë e kërkon rasti për zgjedhje, qeveria ul taksat në prag të fushatave zgjedhore dhe i rrit pas fitores.
Më të prekurit sigurisht janë shtresa e mesme. Kjo ka ndodhur me ligj që nuk u konsultua si duhet dhe caktoi normën tatimore më të lartë të dy dekadave të fundit për profesionet e lira: 15% tatim mbi fitimin për biznesin me xhiro 14 milion lekë në vit dhe 23% mbi këto të ardhura. Janë 29 mijë profesione që preken në të gjithë vendin, nga të cilët këtë vit qeveria do të marrë 80 milion euro!Dhe nuk mjafton me kaq, por tatimi kërkohet të parapaguhet mbi bazën e të ardhurave që janë arkëtuar një vit më parë. Por ka dhe një gjë tjetër.
Shpenzimet që zbriten kur paguhet taksa bazohen mbi deklaratat e depozituara një vit më parë, ndërsa të vetëpunësuarit që sot kanë një kontratë dhe nesër rrezikojnë të mbeten pa të ardhura trajtohen si të punësuar. Një lëmsh i vërtetë ku ka vetëm një të fituar: buxheti i qeverisë.
Nga tatimi preken mijëra njerëz që konsiderohen shtresa e mesme e popullsisë të cilët bashkë me deputetët e opozitës kanë depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkojnë shfuqizimin e taksës. Kategoritë e profesioneve që preken janë të shumta, inxhinierë, arkitektë, tekonologë, mjekë, dentistë… plot 169 profesione. Premtimet e partive politike mund edhe të mos jenë të sinqerta, mund të ndryshojnë rrugës ose të dalin të parealizueshme.
Ajo që ka në dorë në shoqëria është të reagojë kur e gënjejnë, nuk mbaj premtimin, i marrin çdo ditë e më shumë nga buxheti i familjes dhe paratë e tyre keqmenaxhohen dhe fryjnë llogaritë e zyrtarëve të lartë ose financojnë bizneset e të afërme të tyre.
Ndaj ne si Piranja, duke qenë se është një çështje që na shqetëson e duke parë që nuk ka pasur një organizim të pavarur për të protestuar kundër kësaj takse kemi vendosur të ftojmë në një protestë paqësore ditën e enjte në datën 13 qershor përpara Gjykatës Kushtetuese, të gjithë profesionet e lira që preken në të gjithë vendin, mbështetësit e tyre dhe partitë politike që përqafojnë këtë kauzë.
Mbase përpara se të themi që nuk ka reagim, që po reagove nuk ndryshon gjë, duhet të veprojmë. Ndaj ne i ftojmë qytetarët që ta provojnë të thonë fjalën e tyre dhe të bëjnë detyrën në shoqëri, që të protestosh e të kërkosh të drejtën të mos jetë as mit e as monopol i partive politike.
Piranjat ju presin ditën e enjte në orën 18:00 përpara Gjykatës Kushtetuese. Njëherë të vetme shpenzojeni orën e pasdites për të kërkuar atë që ju është marrë pabesisht dhe ju demoralizon çdo ditë, ju humb shpresën dhe ju shtyn të ikni nga ky vend.