Punimet për rikonstruksionin e rrugës Ersekë –Leskovik nisën në maj të vitit 2022 dhe duhet të përfundonin brenda një viti. Por projekti 7,4 milionë euro i financuar nga BERZH dhe qeveria ende nuk ka përfunduar. Ndërhyrja në aksin 42 km pritet të mbyllet në fund të muajit qershorit.
Në maj të vitit 2022 nisën punimet e para për rikonstruksionin e rrugës Ersekë-Leskovik.
Projekti me vlerë 7,4 milionë euro, bashkëfinancuar nga BERZH dhe qeveria shqiptare është pjesë e Programit për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri.
Sipas kontratës, ndërhyrja në aksin 42 km të gjatë do të zgjaste një vit. Teksa afatet e përfundimit të rrugës ishin shkelur, kryeminsitri Edi Rama ndau një tjetër afat.
Sipas Ramës, rruga ishte drejt përfundimit në fund të vitit të kaluar.
“Drejt fundit punimet në rrugën Leskovik-Ersekë, pjesë e lidhjes turistike të Gjirokastrës, Përmetit, me Ersekën dhe Korçën, dy zona me potencial të jashtëzakonshëm kulturor dhe natyror, një investim që do të shkurtojë distancat e udhëtimit dhe do të jetë një dritare më shumë për zhvillimin e turizmit në vendin tonë“- shkruante Rama në rrjetet sociale, nëntorin e kaluar.
Ndryshe nga sa premtoi kryeministri, rruga nga Erseka në Leskovik ende nuk ka përfunduar.
Verifikim
Një muaj më parë Faktoje udhëtoi drejt Ersekës për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Mesditën e 24 majit përgjatë segmentit 42 km nuk po punohej.
Nga Erseka deri në fshatin Borovë, e gjithë rruga ishte me probleme. Çdo 50 metra gjeje gropa në mes të asfaltit.
l
Ndërsa në fshatin Barmash, rruga kishte pësuar rrëshqitje.
Nisur nga situata që gjetëm në terren ne ju drejtuam me një kërkesë për informacion, Fondit Shqiptar të Zhvillimit- njësisë zbatuese të projektit.
‘Pavarësisht problematikave që lidhen me azhornimin e projektit sipas gjendjes faktike në terren dhe vështirësive meterologjike që kanë ndikuar në grafikun e punimeve, zbatimi i projektit po ecën me ritme të mira.’, thotë FSHZH.
Rruga pritet të përfundojë brenda muajit qershor, pohon Fondi Shqipat i Zhvillimit.
‘Pas përfundimit të shtresës së asfaltobetonit do të vijohet me vijëzimin e të gjithë gjatësisë së rrugës dhe montimin e pjesës së mbetur të parapetit metalik (guardrail) duke parashikuar përfundimin e projektit brenda muajit.’, argumenton FSHZH.
Çfarë parashikon projekti?
Ndërhyrja në rrugën Ersekë-Leskovik synon të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e qarkullimit duke ruajtur gjurmën ekzistuese të rrugës- duke filluar nga varrezat e qytetit të Ersekës dhe deri në kryqëzimin e rrugës Leskovik -Dogana Tre Urat.
Rruga do të zgjerohet në të gjithë gjatësinë deri në 5 metra. Në tërësi, ndërhyrja parashikon:
- Ndërtimin e shtresave asfaltike të rrugës ekzistuese
- Ndërtimin e nënshtresave (në shtresat me dëmtime të mëdha);
- Zgjidhjen e drenazhimit të rrugës;
- Ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse;
- Ndërtimin e tombinove dhe veprave të artit në rrugë;
- Sinjalistikën vertikale dhe horizontale;
Rruga lidh qytetin e Ersekës me qytetin e Leskovikut dhe është arterie kryesore lidhëse e Shqiperisë Juglindore nga Tepelena – Përmet – Kolonjë – Korçë në lëvizjen e mjeteve, banoreve, mallrave, etj.
Eshtë një zonë me një peizazh të pasur natyror dhe njëkohësisht është e vetmja rrugë lidhëse për banorët e fshatrave të Kolonjës me qytetin e Ersekës dhe më tej me zonën e Korçës.
Njëkohësisht ky aks rrugor rezulton të ketë një dimension strategjik për zhvillimin e turizmit në rajonet e Përmetit, Korçës dhe Gjirokastrës dhe i shërben banorëve jo vetëm të Ersekës, por edhe të gjithë turistëve vendas e të huaj të cilët frekuentojnë zonën juglindire të Shqipërisë.
Përfundimi
Nisur nga verfikimet e bëra dhe informacionet e mbledhura, premtimin e kryeminsitrit Edi Rama se rruga Ersekë-Leskovik do të përfundonte fundvitin e kaluar e kategorizojmë të pambajtur.