‘Veliaj nuk duhet ndaluar të ikë jashtë shteti, por të mos hyjë në bashki’

E mërkurë, 26 June 2024 13:20
 

Nga Ylli Manjani

Erion Veliaj nuk duhet ndaluar të ikë jashtë shteti, por të mos hyjë në bashki. 

 

Dëmi hetimeve dhe pengesa ndaj drejtësisë vjen nga prezenca e Tij në bashki, jo kur del jashtë shteti.

Natyrisht nuk jam (s’kam qenë kurrë) mbështetës i paraburgosjes së njerëzve pa akuza të kopsitura, ndaj nuk mbështes as paraburgosjen e Erionit, sado e pëlqyeshme të jetë kjo gjë për turmën. 

Por për barazi para ligjit Fredi Beleri, Fatos Tushe apo Lefter Alla, veç e veç apo të gjithë së bashku (shto këtu edhe të arrestuar të tjerë për vepra penale në detyrë, përfshi edhe Lefter Kokën) kanë bërë shumë më pak sesa Erion Veliaj.

Gjithashtu, të ndalosh (pa ligj) të shkojë në Parlament kryetarin e opozitës që as prish prova e as i bën dëm drejtësisë dhe, të lejosh të ushtrojë detyrën publike një keqbërësi të dyshuar seriozisht, është totalisht jologjike dhe krejt e padrejtë.

Trajtim favorizues dhe diskriminues i hapur nga ana e Gjykatës më të lakuar në vend.

Në emër të barazisë para ligjit janë dy zgjidhje: ose të arrestuarit e tjerë lirohen dhe u ndalohet pasaporta, ose Erioni i bashkohet atyre në paraburgim.

E përsëris, nuk jam për paraburgim që të kënaqet turma. Paraburgimi është mjet bolshevik dhe tashmë ai konsiderohet dënim de fakto.

Erion Veliaj duhet ndaluar të ushtrojë detyrën publike nga ku vijon të sjellë dëme. Kjo do ndihmonte edhe hetimin edhe qytetin. 

Se ikën jashtë shteti, nuk më shqetëson fare. Po fare, fare. A ka mundësi të japin edhe një pasaportë tjetër madje dhe, t’i marrin një kaucion financiar të majmë si detyrim për t'u paraqitur tek OPGJ.

Të ikë jashtë e të hajë edhe ai makarona po të dojë. Më mirë të hajë makarona andej sesa të hajë taksa e pasurinë tonë këtu.

****

Gjithmonë nëse është e vërtetë se SPAK kërkon ndalimin e ndaljes jashtë shteti ndaj Tij.

Nëse kjo është e vërtetë janë lodhur kot "kolegët" e Erionit.

Login to post comments