Janë lënë në fuqi masat e sigurisë nga Gjykata Penale e Apelit të Tiranës për 7 mjekët dhe infermierët e Onkologjikut të cilët akuzohen se kanë “rrjepur” pacientët me kancer.
Për mjeken Alketa Ymeri Pere është lënë masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa më herët ajo mori me të “mira” prokurorin e çështjes, Bledar Valikaj, burrin e nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj.
“Jam shumë e lumtur me prokurorin, që e ka quajtur ‘rrugëtimi’. Në spitalin tonë nuk ka shkelje. Duhet të sqarohen mirë gjërat, se kush i ka drejtuar pacientët në privat. Nuk jam e shkarkuar. Do të shkojë në Onkologji”, tha mjekja Alketa Pere para se të futej në seancën gjyqësore.
Alketa Ymeri (Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, akuzohet për veprën penale të “Shperdorimit te detyres” te parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. 7 masa sigurie u vendosën pas hetimeve që zbuluan një skandal në spitalin onkologjik në QSUT. Pacientëve me sëmundje tumorale nuk u ofrohej shërbimi, dhe përmes disa mjekëve dhe stafit të përfshirë, orientoheshin në klinikën e onkologut Edmond Gashi.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës zbuloi se ilaçet nxirreshin jashtë spitalit dhe shiteshin në disa farmacive në Tiranë. Radioterapia nuk u vu kurrë në punë edhe pse aparatura dhe lënda e rrezikshme kimike “Kobalto” ka qenë prezente në spital prej vitit 2021.
Masat që janë caktuar për personat e përshirë në dosjen e Onokolgjikut:
- 1- Edmond Gashi (mjek) – “Arrest shtëpie” – Akuza: ‘Shpërdorim detyre’
- 2- Alketa Pere Ymeri (mjeke) – “Detyrim paraqitje” – Akuza: ‘Shpërdorim detyre’
- 3- Brikena Qirjazi (zv.drejtoreshë e QSUT) -“Detyrim paraqitje” – Akuza: ‘Shpërdorim detyre’
- 4- Emiljano Lela (Koordinatori pranë onkologjikut) – “Detyrim paraqitje” – Akuza: ‘Shpërdorim detyre’
- 5- Drilona Kishta (ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë) – “Detyrim Paraqitje” – Akuza: ‘Shpërdorim detyre’
- 6- Halil Gashi (administrator i klinikës Megis) – “Detyrim paraqitje” – Akuza: ‘Fshehje e te ardhurave’
- 7- Florian Marku (administrator farmacie) – “Arrest shtëpie”
- “Skema” si vepronin mjekët në Spitalin e Onkologjikut në QSUT
Një hetim i bërë nga Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën ku përfshihen mjekë të shërbimit onkologjik dhe stafi i këtij shërbimi të cilët transferonin pacientë nga shërbimi onkologjik drejt klinikave private.
Madje edhe e vetmja aparaturë ajo e kobaltit e cila shërben për radioterapitë për pacientët me tumore mbahej e prishur me qëllim në mënyrë që ky shërbim të mos merrej këtu por në klinika private.
Madje klinika private “Megis”, e mjekut Edmond Gashi që shërbente në Onkologjik është pezulluar deri në një moment të dytë. Sipas informacioneve, ishte një familjar i një prokurori i cili ka denoncuar dhe ka nisur ky hetim.
Telefonat e mjekëve dhe kordinatorëve të këtij shërbimi janë mbajtur në vëzhgim për një kohë të gjatë nga ku kanë rezultuar biseda dhe pazare të mirëfillta si në shitjen e medikamenteve citostiatike të cilat janë të kushtueshme deri dhe për tarifat që merreshin për ndërhyrje kirurgjikale të cilat varionin nga 4 deri 5 mijë euro.
Këto pazare bëheshin duke llogaritur dhe destinacione të pushimeve luksoze, bazuar në bisedat e tyre me mesazhe.
- U la në ‘arrest shtëpie’, mjeku Gashi ia fut vrapit pas vendimit të Gjykatës
Pasi është në arrest shtëpia nga Gjykata Penale, mjeku Edmond Gashi është larguar duke vrapuar nga ambientet e institucionit të drejtësisë.
Për të shmangur kontaktin me mediat, mjeku që iu merrte para të sëmurëve me kancer, ka zgjedhur që të largohet me vrap. Para seancës, në një prononcim të shkurtër për mediat, mjeku Gashi tha se ka bërë detyrën e tij.
- Mjekja Alketa Pere bën “viktimën”: Unë kam një pjesëtar të familjes me kancer
Në shfaqen e parë në publik që pas zbulimit të skandalit tek Onkologjiku, mjekja Alketa Pere është treguar arrogante dhe ka shpërthyer ndaj gazetarëve dhe mediave.
Madje mjekja arrin deri aty sa bën “fajtor” gazetarët për publikimin e fotos së saj, ndërsa nuk flet për vjedhjen që u është bërë pacientëve dhe planet për pushime në “Maldive” apo “Tajlandë”, pikërisht me lekët e marra prej qytetarëve të sëmurë me kancer.
Në një moment mjekja Alketa Pere ka bërë edhe “viktimën” duke deklaruar se e ka të sëmurë një pjesëtar të familjes me “kancer”.
“Sot kam ardhur të mbroj veten time, jam komplet e pafajshme. Do të sqarohet gjithçka. Ju bëj me dije mediave se….Nuk punoj në asnjë klinikë private. Një minutë….një nga një pyetjet. Më keni mërzitur ju gazetarët, më keni nxjerrë fotot. Më interesojnë dhe ato fotot. Duhet të ruhet etika, për atë punë keni mbaruar. E ruaj deri në fund etikën, sidomos me pacient neoplazik. Kam dhe pacient me kancer në familje. E di se çdo të thotë. Duhet të ndryshojë struktura e spitalit, pajisjet….jam shumë e lumtur me prokurorin, që e ka quajtur ‘rrugëtimi’. Në spitalin tonë nuk ka shkelje. Duhet të sqarohen mirë gjërat, se kush i ka drejtuar pacientët në privat. Nuk jam e shkarkuar. Do të shkojë në Onkologji. Po kush je ti mo, ti s’je askushi!”, tha mjekja Alketa Pere.
- Pasi “zhvatën” qytetarët me kancer, mjekja shfajësohet: Onkologjiku nuk ka shkelje
Mjekja Alketa Pere, e cila është e akuzuar nga Prokuroria e Tiranës me 6 mjekë të tjerë për skandalin e Onkologjikut ka deklaruar se kurrë në jetën e saj nuk ka dërguar pacientë me kancer tek privati.
Para seancës në Gjykatë, ajo deklaron se duhet të hetohen gjitha spitalet private për aktivitetin që kryejnë.
“Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë që pacienti të shkojë në privat. Kurrë se kam bërë në jetën time. Jam Doktoreshë Alketa Pere. Kurrë ne jetën time ‘kam bërë që të shkojë në spital provat. Pacientët me kancer duhet të trajtohen në spitalin Onkologjik. Të hetohen të gjithë spitalet private për naivitetin që kryejnë. E falënderoj prokurorin për punën që bën. Unë do të prononcohem mbrapa”, deklaroi Pere.
Gjithashtu ajo ka deklaruar se në spitalin ku punon nuk ka shkelje, ndërsa shtoi se është e nevojshme të ndryshohet struktura e spitalit dhe pajisjet. Ndër të tjera, Pere tha se nuk është shkarkuar si mjeke dhe se do të vazhdojë të shkojë në Onkologjik.
“Duhet të ndryshojnë struktura e spitalit, pajisjet. Jam shumë e lumtur me prokurorin që e ka quajtur rrugëtimi, dhe duhet që çdo njeri ta dijë rrugëtimin e pacientit. Nuk e di për spitalet e tjera, në spitalin tonë nuk ka shkelje. Duhet të sqarohen mirë gjërat kush i ka drejtuar pacientët në privatë. Unë nuk kam shteti, përfaqësoj veten time dhe në momentin që kam mbledhur dosjen time për të konkurruar për drejtimin e atij institucioni, ka përfunduar në plehra dosja ime. Nuk jam e shkaktuar, patjetër që do shkoj në Onkologjik”, tha ajo.
- Me lekët e pacientëve me kancer thurte plane për “Maldive”/ Mjeku i Onkologjikut: Bëj vetëm punën…
Teksa sot pritet t’i konfirmohet masa e sigurisë, pasi caktoi ndaj tij ‘Detyrim paraqitje’, mjeku i Onkologjikut, Edmond Gashi është paraqitur në Gjykatën Penale.
Gazetari: I ke orjentuar pacientët drejt privatit?
“Unë bëj vetëm punën zotëri. Të lutem…” përgjigjet shkurtimisht mjeku Edmond Gashi dhe largohet me shpejtësi.
Kujtojmë nga përgjimet mjeku Edmond Gashi bënte plane për t’u kënaqur veten e tij me pushime luksoze në Maldive dhe Tajlandë pikërisht pasi të “zhvaste” pacientët e tij të sëmurë me kancer.
- “Ministrja ju ka shkarkuar”/ Mjekja Pere arrogante me gazetarët: Po kush je ti ore…?!
Mjekja Alketa Ymeri Pere ka dhënë një prononcim sot para gazetarëve teksa po futej në Gjykatë për masën e sigurisë lidhur me skandalin në ‘Onkologjik’. Ajo me tona të acaruar mjekja ka shpërthyer kundër mediave, teksa në një moment i është kthyer në mënyrë arrogante edhe gazetarit pasi ai i tha se “e ka shkarkuar ministrja”.
Gazetari: Ka një vendim se ju jeni shkarkuar nga detyra me një vendim të ministres?
Alketa Pere: Kush është e shkarkuar, nuk jam e shkarkuar!
Gazetari: Do të vazhdoni të shkoni në Onkologjik?
Alketa Pere: Patjetër që do të shkoj.
Gazetari: Ka një vendim që nuk jeni më pjesë e Onkologjikut!
Alketa Pere: Po kush je ti ore, ti s’je askushi!
- Skandali i Onkologjikut “temë” debati në Kuvend
Deputetja demokrate Albana Vokshi, ka deklaruar se tre ministrat Kociu, Manastirliu dhe Manja, kanë qenë në dijeni të skandalit të Onkologjikut, dhe kanë refuzuar të reagojnë dhe dje nxituan të hidhnin baltë mbi mjekët.
Gjithashtu Vokshi theksoi se koka e korrupsionit janë këto 3 ministra dhe drejtuesit e QSUT në vite.
“Në këtë qeverisje të paktën 3 ministra, Kociu, Manastirliu dhe Manja sot nuk duhet të ishin në ato karrige. Ose duhet të ishin shkarkuar, ose të jepnin dorëheqje. Sepse e kanë ditur për skandalin tek Onkologjiku. Të gjithë kanë qenë në dijeni dhe kanë refuzuar të reagojnë dhe dje nxituan të hidhnin baltë mbi mjekët. Sigurisht që ka mjekë që abuzojnë, por koka e korrupsionit janë këto 3 ministra dhe drejtuesit e QSUT në vite”, tha Vokshi.
- Ishte në dije për skandalin, Koçiu ia hedh fajin mjekëve: Do mbajnë peshën e turpit
Edhe pse ishte në dijeni të skandalit në Spitalin Onkologjik, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu sërish ka bërë fajtorë mjekët dhe farmacistët
Më tej ajo tha se Ministria e Shëndetësisë ka nisur hetim administrativ, krahas hetimit të Prokurorisë do të mbajë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit
Koçiu tha se do t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit në rast se do të bëjnë ndërhyrje dhe sjellje amorale që cenojnë figurën e profesionistëve të shëndetësisë.
“Ndjej detyrën morale për të cekur çështjen e famshme te Onkologjiku. Padyshim që abuzimi rëndë me detyrën një grupi mjekësh, farmacistesh, stafi mjekësorë, është akt i një sjellje që ka vetëm një përgjigje, ndëshkimin ligjor, administrativ dhe moral. Çdonjërin për ata burra e nga që ministria e shëndetësisë ka nisur hetim administrativ, krahas hetimit të Prokurorisë do të mbajë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit. Pikërisht për këtë, për të sanksionuar dhe me ligj të gjithë ata mjekë, ata që abuzojnë me detyrën, që e trajtojnë jetën e njerëzve si mall në treg me shumicë do të përballen me ndëshkime dhe sanksione që ne do t’i bëjmë prezent në këtë kuvend, për të amenduar ligjin e urdhrit të mjekut, infermierit, të cilëve do t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit në rast se do të bëjnë ndërhyrje dhe sjellje amorale që cenojnë figurën e profesionistëve të shëndetësisë”, tha Koçiu.