'Arkitektët e Bursës së Vdekjes janë në qeveri dhe në Ministrinë e Shëndetësisë!'

Saturday, 29 June 2024 16:25
 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka risjellë edhe një herë në kujtesë për qytetarët editorialin e gazetarit Klodian Tomorri, ku ky i fundit paraqet dramën e tmerrshme që zhvillohet në sistemin e shëndetesisë në Shqipëri si rezultat i sistemit korruptiv Rama-Beqaj-Mansterliu

“Në sistemin shëndetësor të reklamuar falas çdo shqiptar paguan nga xhepi mbi 60% të shpenzimeve për kujdesin e tij shëndetsor. Ajo që keni dëgjuat dhe lexuar këto ditë për spitalin onkologjik është maja e ajsbergut e sistemit shëndetësor vrasës”- shkruan Berisha. 

 

Postimi i plotë:

Të dashur miq, gazetari dhe publicisti i njohur Klodian Tomorri me këtë titull të editorialit të tij mendoi se paraqet me vërtetësinë më të madhe dramën e tmerrshme që zhvillohet në sistemin e shëndetesisë në Shqipëri si rezultat i sistemit korruptiv Rama-Beqaj-Mansterliu.

Nga ky sistem çnjerëzor në Shqipëri vdesin mijëra e mijëra njerëz çdo vit. Kështu nga Covid 19 në Shqipëri kanë vdekur rreth 20 mijë qytetarë apo 2 herë më shumë se në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, mijëra të semurë privohen çdo vit nga ndërhyrjet kirurgjikale sepse spitalet nuk paguajnë dot kompanin Rama-Beqja të sterilizimit të seteve kirurgjikale, mijëra të tjerë vdesin sepse ilaçet e tyre janë të rremë fallco.

Në sistemin shëndetësor të reklamuar falas çdo shqiptar paguan nga xhepi mbi 60% të shpenzimeve për kujdesin e tij shëndetsor. Ajo që keni dëgjuat dhe lexuar këto ditë për spitalin onkologjik është maja e ajsbergut e sistemit shëndetësor vrasës dhe më të korruptuar të planetit.

Ju ftoj të lexoni editorialin e publikuar në Kapital. al nga gazetari i njohur Klodian Tomorri

Arkitektët e Bursës së Vdekjes janë në qeveri dhe në Ministrinë e Shëndetësisë

11:50 : 26/06/2024

Nga Klodian Tomorri

Kur Nikolai Gogol shkroi novelën “Shpirtra të Vdekur”, ai i zbuloi botës një paradoks. Të vdekurit janë mall tregu dhe me ta mund të fitosh para. Por që kjo të ndodhë ka një kusht thelbësor. Duhet që autoritetet të jenë thellësisht të korruptuara dhe që vendi të qeveriset nga zyrtarë që nuk kanë shpirt.

Në koën e Chichikovit, ky ishte një sfond i zakonshëm. Por siç e pamë një ditë më parë, biznes me vdekjen bëhet edhe në Shqipërinë e Edi Ramës, dy shekuj më vonë.

Ndërsa e gjithë neveria e publikut është derdhur mbi mjekët faqezinj të vënë në masë sigurie nga Gjykata, arkitetektët e bursës së vdekjes nuk janë ata. Njerëzit që e kanë ngritur këtë skemë janë në qeveri dhe në ministrinë e Shëndetësisë, janë zyrtarët të cilëve shqiptarët u kanë besuar jetën e tyre. Këta janë poshlostët e vërtetë, të cilët duan të nxjerrin para nga vdekja.

Si mundet që ministria e Shëndetësisë të liçencojë një klinikë për shërbime onkologjike, kur pronari i saj me 90 për qind të aksioneve është mjeku që shërben si onkolog në spitalin publik? Megis është biznesi privat i onkologut të spitalit publik Edmond Gashi. Dhe teksa ministrja e Shëndetësisë reagoi nga zori duke thënë se ishte e neveritur nga veprimet e mjekëve, do të duhej që dje minimalisht të shprehej po njësoj e neveritur edhe me ministrinë që ajo drejton, e cila ka licencuar Gashin të bëjë biznes me vdekjen.

Si mundet që ilaçet e shtetit të vidhen për t’u shitur në tregun privat? A mund të ndodhë kjo pa përfshirjen e drejtuesve të QSUT-së, auditit të brendshëm në Spitalin Universitar dhe njësive të kontrollit në ministrinë e Shëndetësisë? Jo nuk mund të ndodh asesi. Dhe kjo është një arsye tjetër se pse zonja Koçiu duhet të ishte neveritur me minmistrinë e saj më së pari.

A mundet të ekzistojë pazari i kimiopreparateve nëse shteti do të prokuronte me përgjegjësi të gjithë sasinë e nevojshme të ilaçeve që duhen për pacientët? Jo nuk mund të ekzistonte dot kurrë. Ky pazar ekziston ngaqë shteti nuk prokuron sasinë e nevojshme. Sepse paratë i marrin koncesionet kriminale të analizave të shurrës. Kjo ishte arsyeja e tretë se pse ministrja e Shëndetësisë do të duhej të neveritej me ministrinë e saj dhe qeverinë në të cilën bën pjesë.

Pra, korrupsioni nuk fillon nga mjeku, por mbaron tek ai. Mjeku është thjesht hallka e fundit që nxjerr në pah problemin. Korrupsion ideohet dhe fillon në qeveri. Pamjaftueshmëria e medikamenteve, menyra e aksesimit të tyre nga pacienti dhe mbi të gjitha keqadministrimi i rrjedhës së financimit të shërbimit shëndetësor.

Së pari, të gjitha medikamentet onkologjike duhet të jenë 100% të financuara nga shteti. Në publik apo në privat kjo nuk ka asnjë rëndësi. Këto medikamente si në gjithë botën duhet të aplikohen vetëm në spitale të mirëfillta, të cilat plotësojnë kushtet dhe janë nën monitorimin e rreptë të shtetit. Jo në çdo klinikë, që ngrihet në çdo zgëqe pallati nëpër lagjet e Tiranës.

Barnat onkologjike janë të gjitha medikamente të importuara dhe kontrolli i tyrë është shumë i thjeshtë. Këto ilaçe kanë numër serial të caktuar në barkod dhe administrohen me recetë të posaçme spitalore. Ky barkod së bashku me recetën ruhen në dosjen e pacientit dhe një kopje i niset Fondit të Kujdesit Shëndetësor si financuesi i terapisë. Pra i gjithë zinxhiri i tyre i qarkullimit mund të gjurmohet shumë lehtë; sa janë importuar dhe sa janë përdorur, ku janë përdorur dhe ku janë paguar.

Shteti i ka të gjitha mekanizmat e kontrollit për të mos lejuar atë që ndodhi. Por në çdo hallkë që dështon ka një zyrtar që korruptohet, ashtu si në Rusinë e shekullit të 19. Prandaj arkitektët e tregtisë së vdekjes nuk janë Gashët e trashur nga paratë e mortit apo Alketërat e shëmtuara nga gjynahet e Ferrit. Përgjegjësit kryesorë janë poshlostët e pashpirt në qeveri. Ata që bëjnë listat klienteliste të ilaçeve dhe që devijojnë fondet e shëndetësisë në bizneset e tyre./ Kapitali.al

 
 
Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...