Meta: Autokratët janë gati edhe të ‘ndezin’ rajonin me shkëmbime territoresh e ndryshime kufinjsh

Hënë, 01 July 2024 21:26
 

Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka paraljmëruar në lidhje me veprimet që mund të ndërmarrin autokratët që po qeverisin shtetet e Ballkanit.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Rajonal ‘Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes’, Meta theksoi se ‘autokratët janë gati edhe të ‘ndezin’ rajonin me shkëmbime territoresh e ndryshime kufinjsh’.  

 

Meta: Autokratët, në realizimin e kapjes së shtetit nuk lënë gjë pa bërë për t’i shërbyer agjendave të tyre dhe nuk i kursejnë shkopinjtë nën rrota ndaj atyre që kanë detyra e objektiva të qarta për demokracinë, për zhvillimin, për integrimin.

Autokratët janë gati edhe të “ndezin” rajonin me shkëmbime territoresh e ndryshime kufinjsh, mjafton që të kapitalizojnë mbështetje elektorale që u duhet për të konsoliduar autokracinë e tyre dhe shmangur vëmendjen nga përgjegjësia për korrupsionin e jashtëzakonshëm dhe lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Demokratizimi i vendeve tona është domosdoshmëri dhe një gur themeli i objektivave për paqen dhe zhvillimin e rajonit dhe të çdo vendi.

Vetëm forcimi i demokracisë do të bëjë të mundur zëvendësimin e regjimeve autokratike që kanë kapur shtetin, prishur balancat e pushtetit dhe kapur sistemin gjyqësor, duke rikthyer besimin te institucionet dhe garantuar llogaridhënien.

Promovimi i demokracisë është një detyrë jo vetëm e shoqërive ballkanike por edhe një domosdoshmëri që aleatët tanë duhet të kuptojnë seriozisht se vetëm kështu sigurohet stabilitet i qëndrueshëm në rajon.

Qëndrimet pragmatiste të deritanishme të disa partnerëve për të bashkëpunuar pa kushte me ata që vjedhin zgjedhjet, minojnë pluralizmin politik, lirinë e medias dhe vrasin demokracinë vijnë kundër interesave të popujve tanë dhe të vetë interesave strategjike të BE dhe NATO-s.

Kissinger ka thënë se nuk janë vendet ballkanike që krijojnë konflikte, por fuqitë e mëdha që luajnë për influencë në Ballkan.

Akoma më e rëndë kur mbyllin sytë përpara narkoshtetit i cili mund të bëhet një tokë pjellore edhe për terrorizmin ndërkombëtar.

Dhe ne i kemi parë këto influenca   në   rritje   në   Bosnjë-Hercegovinë   apo   në   Mal   të   Zi   për   të destabilizuar situatën, apo për të larguar udhëheqës pro-perëndimore për të rikthyer influencat pro-ruse në rajon.

Ndërkohë, shpejtësia e afrimit të rajonit me Europën është ngadalësuar shumë, ndonëse procesi i integrimit të vendeve të rajonit ka rreth 30 vite që ka filluar.

Dhe përsëri janë ata, autokratët, që nuk duan më shumë Europë, më shumë standarde demokratike, më shumë llogaridhënie dhe që i ngadalësojnë këto procese sepse ata nuk duan të heqin dorë nga privilegjet e tyre dhe kapja e shtetit.

Prandaj “shpiken” edhe forma bashkëpunimi si “Ballkani i Hapur”, kur “Procesi i Berlinit” është prej kohësh një rrugë e sigurtë dhe solide me standarde europiane.

Prandaj, që në konceptimin e tij e kam konsideruar “Ballkanin e Hapur” si një rrugë çoroditëse, përçarëse, shfokusuese dhe të dëmshme për secilin dhe tërësinë e vendeve të rajonit tonë.

Por, ndërkohë, rajoni duhet të marrë më shumë përgjegjësi për të ecur drejt një integrimi më të thellë sipas modelit europian.

Duhet forcuar më shumë sensi i qëllimit dhe objektivit të përbashkët, që sa më shumë bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, aq më shumë përfitojnë vendet e popujt tanë, aq më shumë rritet mirëqenia e qytetarëve të vendeve tona, aq më shumë përfiton rajoni si i tërë, por edhe Europa.

Rajoni si një i tërë duhet të promovojë kushtet e zhvillimit, të infrastrukturës, të energjisë, të tërheqjes dhe nxitjes së investimeve, por edhe të arsimimit, për të formuar gjenerata të çliruara nga paragjykimet e së kaluarës. 

Gjithashtu, duhet të punohet së bashku  për të tërhequr investimet, që na ndërlidhin infrastrukturën dhe energjinë.

Të lehtësojmë e të heqim më tej, kufinjtë jo-fizikë.

Ne mund të përdorim modelet më të mira që i kemi në rajon apo pranë tij, për të përballur sfidat e zhvillimit demografik, për ndalimin e shpopullimit, emigracionit, për të garantuar rritje ekonomike të qëndrueshme, për të luftuar fenomenet që shpesh mbajnë peng shoqëritë tona dhe zhvillimin, si trafiqet, korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimi i organizuar ndërkombëtar.

Programi i Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut dëshmon një vizion të shkëlqyer sesi mund të arrihet një zhvillim ekonomik gjithpërfshirës, sesi duhet punuar për një model të ekonomisë që bazohet mbi prodhimin dhe eksportet, sesi mund të përmirësohet klima e biznesit, sesi mund të tërhiqen investimet e huaja, sesi mund të mbështetet bujqësia, blegtoria dhe zonat rurale.

Niveli i eksporteve të Maqedonisë së Veriut sot është në nivelin 57% të GDP, ndërsa në nivel rajonal është 32%.

Ndërkohë Shqipëria është e fundit me vetëm 8%. Ndaj edhe jemi të parët për shpopullimin.

 
 
Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...