Lideri i opozitës, Sali Berisha është ndalur te ngjarjet e 2 korrikut 1990, ku shqiptarët u dyndën drejt ambasadave perëndimore, duke sfiduar regjimin i cili edhe pse ishte në gamat e fundit, sërish ishte i rrezikshëm dhe merrte jetë.
‘Në historinë e lirisë, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë, kauzës së lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Në historinë e lirisë, të përpjekjeve të kombit shqiptar, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar.
Me 2 korrik të vitit 1990, në një kohë kur diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës në vendet e Europës ish-komuniste, në Shqipëri vazhdonte diktatura, e cila gjatë ditës fliste për demokraci, por në kufijtë e vendit ekzekutonte të rinjtë çdo javë dhe jo vetëm i ekzekutonte, por zvarriste trupat pa jetë të tyre në rrugët e qyteteve të vendit për të mbjellur terror te popullata.
Në këto kushte, kur Shqipëria dukej tërësisht e harruar, kur në arenën ndërkombëtare flitej që të mbetet Shqipëria si Kuba e Adriatikut, kur në të vërtetë në tërësi nuk parashikonte njeri ndryshimin, të rinjtë, kryesisht punëtorët e Tiranës, por edhe të përndjekurit politikë dhe intelektualë mendonin ndryshe.
Me guxim epik, ata përsëritën por në kushte të një rreziku shumë e shumë herë më të madh, atë skenar që gjermano-lindorët përsëritën në ambasadat gjermane në Çekosllovaki dhe Hungari.
Pra, ata përmbysën Perden e Hekurt në Tiranë, përmbysën Murin e Berlinit dhe hynë si heronj të vërtetë çlirimtarë në ambasadat e vendeve perëndimore.
Ky ishte një akt heroizmi të jashtëzakonshëm. Secili prej tyre mund të binte tek kalonte murin e ambasadës nga breshëritë e policisë sekrete shqiptare apo forcave të tjera të sigurisë.
Por kjo nuk i pengoi ata. Me mijëra prej tyre mbushën oborret dhe ndërtesat e përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha ndërtesën e ambasadës gjermane, ambasadori i të cilit u dëshmua një mik i madh i lirisë së shqiptarëve, Verner Daum.
Ky diplomat nuk mendonte se Shqipëria duhej të mbetej Kuba e Adriatikut. Ai mendonte se shqiptarët duhet të ndihmoheshin që të përmbysnin diktaturën e tyre komuniste.