SPAK: Beqaj pronari faktik i restorantit 'GZONA'

Diel, 07 July 2024 21:09
 

Syri Televizion ka siguruar një pjesë të dosjes ku SPAK është bazuar për të akuzuar ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, si pronar faktik të restorantit 'GZONA'.

Nga përgjimet kuptohet qartë, që të gjithë punonjësit e restorantit janë në dijeni që pronari është ilir Beqaj.

Dhe familjarë të ish-ministrit, pikërisht vajza e tij Deborah, del në përgjime që ka dijeni mbi zhvillimet dhe interesohet për ecurinë e restorantit. 

Në biseda kuptohet që edhe mjeti 'Wolsvagen Tuareg' në pronësi në Ermal Kurtulajt, është në të vërtetë makina e Ilir Beqajt. 

Ilir Beqaj u la të shtunën në burg nga GJKKO, megjithë kërkesën e tij për t’u liruar duke shprehur gatishmërinë për të lënë dhe garanci 50 mijë euro.  

SYRI TV

Syri televizion ka siguruar një pjesë të dosjes së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbi të cilat SPAK e akuzon se ai është pronari faktik i restorantit 'Gzona' që është në 'Kalanë e Tiranës'.

Prova e fortë e SPAK janë komunikimet e punonjësve të restorantit të cilët i raportojnë për largimet nga puna.

Në përgjime administratori i restorantit ‘Gzona’, Gazment Prenga teksa bisedon me ish-punonjësin Vladimir Prenga, i thotë se Ilir Beqaj i ka të gjitha dhe se për ‘çdo gjë vendos Ermali’.

Sipas SPAK nga këto biseda kuptohet që komunikimet me personelin dhe kontrollin në këtë restorant Ilir Beqaj i kryen nëpërmjet Ermal Kurtulaj.

Për të vërtetuar se Ilir Beqaj është pronari faktik i restorantit ‘Gzona’, SPAK ka administruar dhe përgjimet e vajzës së tij, Deborah Beqaj. Vajza e Beqajt në një bisedë duket se ka dijeni për ndryshimet e bëra në ambientin e lokalit por dhe interesohet sesi ka kaluar një e njohura e saj, në një darkë që kishte qenë aty.    

Deborah Beqaj: Si kaluat mbrëmë?

Ada Cuci: Mirë shumë. Te Gzona është bërë shumë nice me ndryshimet e reja

Deborah Beqaj: Kanë bërë shumë. Ka ardh një cun i ri që merret aty. Është shtruar poshtë me dërrasa dhe është bërë me 2 pjesë.

Përfshirja e restorant GZONA vërtetohet dhe nga dëshmia e Alfred Nikollës, drejtorit ekzekutiv të firmës që fitoi tenderin për të organizuar evenimentin ‘FESTA’.

Festa ishte tenderuar dhe nga ministria e Turizmit por sipas Alfred Nikollës angazhimin më të madh e ka marrë Ermal Kurtulaj dhe 'GZONA'.

Madje sipas dëshmisë së Nikollës, shefi i guzhinës së GZONËS, Bleri Dervishi është ai që ka përgatitur ushqimet për festën. Bleri Dervishi sipas verifikimeve që ka bërë SYRI Televizion ka fituar dhe një projekt start-upi nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen me vlerë rreth 100 milionë lekë.

‘Me sa mbaj mend në total vlera e kontrates ka qënë rreth 140.000 euro. Me sa mbaj mend nga informacioni që kam, shërbimin e kateringut e ka lëvruar restoranti Gzona që ndodhet te Kalaja e Tiranës.

Me sa mbaj mend në diskutime në zyrë me ekipin është permendur emri i shefit të kuzhinës Bleri, një shef kuzhine tjetër që unë e kujtoj është shef Fredi. Por nuk kam dijeni sesi është përzgjedhur konkretisht restoranti Gzona pasi nuk e kam përzgjedhur unë’.

Në bisedat e siguruara nga SPAK, Ermal Kurtulaj si njeri i besuar i Ilir Beqajt flet me shoferin e këtij të fundit, në lidhje me disa shërbime që ishin bërë makinës.

Kjo makinë sipas SPAK, i përket ish-ministrit të Shëndetësisë dhe e ka përdorur në kohën kur ka qenë deputet. Ermal Kurtulaj dhe Arben Dani diskutojnë midis tyre për problematikat e mjetit dhe pranojnë se ai është i Ilir Beqajt.

Ilir Beqaj doli të shtunën para gjykatës duke kërkuar që të lihej i lirë. Madje ai shprehu gatishmërinë para gjykatës për të lënë garanci 50 mijë euro. Po ashtu dhe krahu i tij i djathtë Ermal Kurtulaj kërkoi të linte garanci pasurore.

Po kërkesat e tyre nuk u morën parasysh nga gjykata, e cila vendosi ‘Arrest në burg’ për Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn. Alfred Nikollajt iu dha masa ‘Arrest Shtëpie’.

Ndërsa për Elton Marinin u la në fuqi arresti në shtëpi ndërsa Bledar Leka e Bjona Ziaj u njohën me masën detyrim paraqitje.

 
 
Login to post comments