Ekonomia ngadalësohet me 3.63%, mbahet sërish nga ndërtimi e administrata

Tuesday, 09 July 2024 12:40
 
 

Ritmet e rritjes së ekonomisë u ngadalësuan sërish në tremujorin e parë të vitit, pasi u përshpejtuan në fund të 2023-t, por sërish mbeten më të larta në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

INSTAT bëri të ditur se ekonomia u rrit me 3.63% në tremujorin e parë të vitit, nga 3.83% në tremujorin e tretë dhe 3.81% në të katërtin e vitit të kaluar. 

Ndërtimi ka vijuar të jetë sërish motori i ekonomisë, duke ndikuar në një të tretën e kësaj rritjeje, ndërsa dy sektorë të rëndësishëm si industria dhe bujqësia ishin në territor negativeme një rënie përkatësisht me 1 dhe 1.7%.

Në ndihmë të ekonomisë ka ardhur dhe administrata publike, përmes rritjes së pagave, duke qenë kontribuesi i dytë më i madh pas ndërtimit.

Sipas njoftimit të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 3,63 % në terma realë, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2023.

Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: “Ndërtimi” me +1,19 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +0.92 pikë përqindje, “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +0,76 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,36 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0.32 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni” me +0,06 pikë përqindje, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,06 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,05 pikë përqindje.

Negativisht kontriboi grupi: “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,31 pikë përqindje, “Industri, Energji dhe Uji” me -0,15 pikë përqindje. “Taksat Neto mbi produktet” kontribuan pozitivisht me +0,36 pikë përqindje.

Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 1,73%, i ndjekur nga Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit i cili shënoi rënie me 1,05% në terma vjetor.

Aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi rritje me 14,04%, i ndjekur nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 7,71%.

“Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme” ka shënuar një rritje prej 5,91%, grupi i “Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje 5,54%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” pati një rritje prej 4,63%, “ Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit” shënoi një rritje prej 2,83%, grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rritje prej 2,14% dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 1,97%.
Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2,80%.

Konsumi i popullatës u rrit me 3.7%

PBB sipas metodës së Shpenzimeve Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë:

– Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,71%;

– Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 3,45%;

– Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 7,67%;

– Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 9,94%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7,61%.

Login to post comments