Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONOIA” pas konsultimesh intensive me komunitetet përbërëse të Bashkisë Himarë por edhe asosacionet përfaqësuese të tyre në emigracion, u propozoi Partive Politike opozitare aleate që në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Himarës të mbështesim kandidaturën e Petro Gjikuria.

Ndërkohë edhe vetë kandidati ka reaguar në rrjetet sociale. Shqiptaro-amerikani Petro Gjikuria pranon se do të kandidojë për Bashkinë e Himarës, ndërsa shprehet se nuk bën dallime mes demokratëve dhe socialistëve, por do të jetë kandidat gjithëpërfshirës. Gjikuria thotë se ka lindur në Dhërmi por ka jetuar në Greqi dhe SHBA ku edhe ndodhet aktualisht, ndërsa banorëve të Himarës i premton se ai si kryebashkiak nuk do të jetë një partiak i emëruar që zbaton symbyllur urdhrat, siç shprehet, të atyre që uzurpojnë pronat e banorëve.