Burgjet favorizohen mbi shkollat/ Rriten shpenzimet për të burgosurit, ulen për nxënësit

E Enjte, 25 July 2024 22:32
 

Fondet publike në Shqipëri ende favorizojnë burgjet mbi shkollat. Në vijim të hulumtimit të zhvilluar nga INA Media në shtator 2021, vihet re një vijim i trendit të mëparshëm përmes të cilit 12 herë më shumë para harxhoheshin për një të burgosur se për një nxënës shkolle. Pavarësisht një rënie prej 3.7% në regjistrimet e nxënësve, shpenzimet për arsim mbeten të ulëta në 2.3 euro në ditë për çdo nxënës, ndërsa kostot për të burgosurit janë rritur në 31.59 euro në ditë.

Në vitin e kaluar, numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në shkolla në Shqipëri pësoi një rënie prej 3.7%, krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, shpenzimet për arsimin vijojnë të mbeten të ulëta. Në vitin 2023, nga buxheti i shtetit u shpenzuan rreth 2.3 euro në ditë për çdo nxënës që ndjek shkollën. Ndërkohë, shpenzimet për të burgosurit vijojnë të rriten duke arritur në 31.59 euro në ditë në vitin 2023. Ndërsa për arsimin ofrohet një buxhet i kufizuar, Shqipëria ndodhet në grupin e vendeve europiane me kosto të larta për të burgosurit. 

Fondet për arsimin

Konkretisht në vitin shkollor 2023-2024, Shqipëria regjistroi 533,711 nxënës dhe studentë në arsimin publik, me një rënie prej 3.7% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, shpenzimet për arsimin në vitin 2023 arritën në 51.4 miliardë lekë (rreth 425 milion euro), që do të thotë rreth 2.3 euro në ditë për çdo nxënës. Ky buxhet përfshin financimin për arsimin bazë, universitar, të mesëm dhe profesional.

Sipas të dhënave nga Open Data, shpenzimet për arsimin në vitin 2023 janë ndarë në disa programe kryesore: Arsimi Bazë (25.3 miliardë lekë), Arsimi Universitar dhe Shkenca (12.9 miliardë lekë), Arsimi i Mesëm (8 miliardë lekë), Arsimi Profesional (3.4 miliardë lekë), Arsimi Ushtarak (1.4 miliardë lekë). Këto shpenzime përfaqësojnë 7.3% të totalit të shpenzimeve dhe 2.3% të PBB-së.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin shkollor 2023-2024, u regjistruan në arsimin parauniversitar (deri të mesëm të lartë) 416.538 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 3,8%, krahasuar me vitin shkollor 2022-2023. Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 66.711 fëmijë, 4,4% më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës. Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë 91.755 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

 
Sa shpenzohet për një të burgosur
 

Nga ana tjetër, shpenzimet për trajtimin e të burgosurve janë në rritje. Drejtoria e Burgjeve në përgjigjen e saj për INA Media tregon se në vitin 2022, kostoja ditore për një të burgosur ishte 25.83 euro, ndërsa në vitin 2023 arriti në 31.59 euro. Për të paraburgosurit, kostoja ditore është e ngjashme dhe përfshin shërbime të plota si ushqim, akomodim dhe trajtim mjekësor.

“Në koston ditore përfshihet gjithçka që shkon si shërbim për të dënuarin apo të paraburgosurin, duke nisur nga batanija, jastëk, çarçaf, ushqimi, detergjentët etje, deri tek pagesa e punonjësve të stafit që i shërben banorit në një IEVP, përfshirë edhe kapitalin (investime në IEVP)”, shkruan për INA Media Drejtoria e Burgjeve.

Më tej ky institucion tregon se përsa i takon buxhetit total vjetor 2022 për banorët e IEVP ka qenë 6,259,322,551 lekë, buxheti vjetor për të paraburgosurit ka qenë 3,149,003,738 ndërsa për të burgosurit ka qenë 2,222,409,270. Pjesa tjetër e buxhetit shkon për banorët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme që kërkojnë shërbim ekstra si dhe të miturit.

“Sa i takon buxhetit total vjetor 2023 për banorët e IEVP ka qenë 7,794,211,123 lekë, buxheti vjetor për të paraburgosurit ka qenë 4,158,435,850, për të burgosurit ka qenë 2,797,065,060. Pjesa tjetër e buxhetit shkon për banorët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme që kërkojnë shërbim ekstra si dhe të mitur”, thuhet në përgjigje.

Larg shkollës dhe pranë krimit nxënësit shqiptarë janë të ekspozuar ndaj veprave penale në mungesë të investimeve në edukim. Për të mësuar më shumë rreth numrit  të të miturve të dënuar dhe të paraburgosur të moshave nga 14-18 vjeç figurojnë në Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale, drejtoria e Burgjeve na vendosi në dispozicion të dhënat e mëposhtme:

Të miturit përballë veprave penale

INA Media ju drejtua me një kërkesë për informacion edhe Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me numrin e regjistruar të procedimeve penale dhe personave nën hetim të mitur të proceduar penalisht si dhe numrin e çështjeve penale të dërguara për gjykim në gjykatë së bashku me numrin e të pandehurve të mitur.

Për vitet e fundit, të dhënat e vendosura në dispozicion të INA Media nga Prokuroria e Përgjithshme për procedimet penale ndaj të miturve tregojnë një trend të rëndësishëm në rritje të numrit të procedimeve dhe personave nën hetim.

Në vitin 2021, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi gjithsej 704 procedime penale ndaj të miturve, me 744 persona nën hetim. Numri i kërkesave për dërgimin në gjykatë ishte 210, përfshirë 266 të pandehur.

Në vitin 2022, numri i procedimeve penale u rrit në 821, ndërkohë që numri i personave nën hetim ra në 572. Kërkesat për dërgimin e çështjeve në gjykatë ishin 206, përfshirë 225 të pandehur. Ky vit shënon një rritje të mëtejshme në procedimet penale, megjithatë numri i personave nën hetim ishte më i ulët krahasuar me vitin paraardhës.

Të dhënat për vitin 2023 tregojnë një tjetër rritje në numrin e procedimeve penale, duke arritur në 899. Numri i personave nën hetim u rrit në 723, ndërsa kërkesat për dërgimin e çështjeve në gjykatë ranë në 161.

Si u shpërndanë fondet publike në 2020

Në vitin 2021, INA Media nxori në pah një problem serioz në politikën shqiptare të arsimit dhe sistemin e drejtësisë: përqendrimi i burimeve në trajtimin e të burgosurve ndërsa investimet në arsim mbeten të pamjaftueshme.

Nxënësit shqiptarë, që largohen nga shkolla dhe përfundojnë në krim, janë të ekspozuar ndaj veprave penale për shkak të mungesës së investimeve në edukim. Në vitin 2020, buxheti për arsimin ishte vetëm 240 lekë në ditë për çdo nxënës, ndërsa për një të burgosur shpenzoheshin 2600 lekë në ditë.

Në vitin 2020 Shqipëria shpenzonte rreth 12 herë më shumë për një të burgosur sesa për një nxënës në arsimin parauniversitar. Kostoja mesatare për trajtimin e një të dënuari ishte 2,583 lekë në ditë, në krahasim me vetëm 240 lekë për çdo nxënës.

“Ajo që shteti shpenzon sot për të dënuarit dhe paraburgosurit, do të kishte shumë më tepër dobi në parandalimin e kriminalitetit te të miturit, nëse shpenzohet për programe të mbështetjes apo përfshirjes sociale, që pa hyrë fëmija në konflikt me ligjin, për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe asaj kundër fëmijëve, për ngritjen e programeve për prindërimin e mirë dhe për mobilizimin e të gjitha strukturave publike për mbrojtjen e fëmijës dhe luftën ndaj krimit të organizuar që i shfrytëzon fëmijët, situata do të ishte krejt ndryshe”, theksonte për INA Media-n, zyra e UNICEF-it në Shqipëri.

Ekspertët e arsimit dhe psikologët argumentojnë se braktisja e shkollës është një faktor kryesor në rritjen e kriminalitetit te të rinjtë.

“Braktisja e shkollës do të thotë që fëmija do ketë më shumë kohë. Nëse ai apo ajo këtë kohë nuk e mbush duke u edukuar dhe arsimuar, ai është tërësisht i ekspozuar ndaj mjedisit. Për fatin e keq në vend nuk mbizotërojnë shembujt e mirë. Madje, në shoqërinë shqiptare po merr gjithë e më shumë hov ideja e “pasurimit të shpejtë” dhe kjo e fundit në shumë raste shoqërohet nga kryerja e akteve joligjore”, tha për INA Media në investigimin e publikuar tre vite më parë Arjana Muçaj, përgjegjëse e Departamentit të Psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Numri i të miturve të proceduar për veprime penale është rritur vit pas viti, duke bërë të qartë se investimet në arsim dhe mbështetje sociale janë të domosdoshme.

Sipas ekspertëve përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe mbështetje më e madhe për familjet në nevojë janë çelësat për të ulur braktisjen e shkollës dhe për të ndaluar përfshirjen e të rinjve në krim.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...