Arrestohet kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, një avokat dhe një ish-oficere e Krimeve

Hënë, 29 July 2024 10:48
 

Është arrestuar mëngjesin e kësaj të hëne me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka.

Burime bëjnë me dije se për të njëjtin hetim që ka çuar në arrestimin e Zarkës, janë lëshuar urdhër-arreste edhe për 3 persona të tjerë, mes të cilëve edhe një ish-oficere e Krimeve të Rënda, Eriona Daupaj, si dhe për avokatin, Radovan Çela.

Po ashtu urdhër-arresti ka edhe për shtetasin Astrit Vladi, një prej të akuzuarve për çështjen e “Toyota Yaris”, ku ishin fshehur 3.4 milionë euro brenda automjeteve që vinin nga Belgjika për në Portin e Durrësit. Ata janë vënë nën akuzë për korrupsion, teksa akuzohen dhe se kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me një procedim penal.

Zarka më 9 maj të 2022 u emërua në krye të organit të akuzës në rrethin gjyqësor të Vlorës. Ndërkohë, rreth një muaj më parë, më 28 Qershor, Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi kaloi shkallën e parë të vettiungut. Ai dha shpjegime të përmbledhura për dy gjetje në kriterin e pasurisë. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin Zarka u vlerësua pozitivisht.

Ndërkohë, Eriona Daupaj ka qenë oficere e Policisë Gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Më pas ajo kaloi oficere e Policisë Gjyqësorë në Prokurorinë e Tiranës, ku fitoi edhe konkursin për në Shkollën e Magjistraturë, ku është aktualisht studente.

Login to post comments