'Plumbi i Artë 2', SPAK konfirmon arratisjen e kriminelëve

E Enjte, 01 August 2024 21:47
 

Fill pas deklaratës së Sali Berishës SPAK ka reaguar duke njoftuar finalizimin e operacionit “Plumbi i Artë 2” ku janë lëshuar 33 urdhër arreste. Bie në sy se ndryshe nga herët e tjera, SPAK ka njoftuar vetëm numrin e urdhër arresteve, por jo identitetin e personave të arrestuar, si dhe ka konfirmuar se janë zbatuar vetëm 13 urdhër-arreste, pasi 2 janë ndaluar jashtë vendit dhe 18 të tjerë janë arratisur.

Vetëm pak minuta pasi lideri i opozitës, Sali Berisha bëri këtë deklaratë, duke demaskuar operacionin “Plumbi i Artë 2”, ka ardhur dhe reagimi i Prokurorisë së Posaçme, e cila përcolli për mediat një komunikatë të thatë në lidhje me operacionin. Në komunikatën e SPAK thuhet se operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve që kishin nisur për veprimtarinë e një organizate kriminale, e cila drejtohej nga vëllezërit Franc Çopja dhe Hajdar Çopja alias Bako. Mirëpo, ndryshe nga herët e tjera, në deklaratën e lëshuar këtë të enjte pas denoncimit të liderit të Opozitës, SPAK ka konfirmuar se arratisjen e personave për të cilët ishin lëshuar masa sigurise.

Sipas SPAK, në total u lëshuan 33 masa sigurie, por u ekzekutuan vetëm 13 prej tyre, shumë prej të ndaluarve janë shtetas që aktualisht ndodhen në qeli të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. SPAK thotë gjithashtu se dy persona janë të arrestuar jashtë vendit, ndërsa për 18 të tjerë, masat e sigurisë nuk janë zbatuar, duke konfirmuar arratisjen e tyre nën dyshimin e dekonspirimit të operacionit. Por edhe në komunikatën që lëshoi këtë herë SPAK, vijon të fsheh të dhëna. Si asnjëherë më parë, SPAK është mjaftuar duke bërë statistikë me masat e sigurisë, ndërsa nuk ka dhënë as emrat apo inicialet e personave ndaj të cilëve janë lëshuar masat e sigurisë.

Ky veprim i SPAK ngre jo pak pikëpyetje për operacionin në tërësi. Nga ana tjetër, një ditë më parë, gjatë zhvillimit të operacionit, në burime jo zyrtare, u arrit të zbardheshin emrat e disa prej personave ndaj të cilëve janë lëshuar masa sigurie dhe atyre që u janë zbatuar këto vendime të gjykatës. Mes personave që u lëshuan masa sigurie janë për të cilësuarin si vrarës me  Talo Çela, vëllezërit Çopja, apo dhe zyrtarë si ish-drejtuesja e gjykatës së Elbasanit Pajtime Fetahu, dhe Nëndrejtori i burgut të Bradasheshit, Martin Musaj apo oficeri i policisë Agustin Çinari. Të 33 shtetasit për të cilët janë lëshuar masa sigurie, dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim në të paktën 8 ngjarje kriminale, përfshirë masakrën e Bradasheshit ku mbetën të vdekur Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri si dhe shtetasi turk Erdal Durunay në dhjetor të 2018. Gjithashtu është zbardhur vrasja e Klevis Kapllanit në Rrogozhinë dhe atentati ndaj vëllezërve Klevi dhe Eraldo Baho në Elbasan, ku mbeti i vdekur njëri prejt tyre dhe tjetri i plagosur. Në komunikatën e SPAK njoftohet se gjatë kontrolleve janë sekuestruar 1 milionë euro CASH dhe 42 pasuri të paluajtshme, shumica prej të cilave apartamente, vila, garazhe etj.

Login to post comments