‘Po përballen dhëmb për dhëmb me regjimin’/Berisha: Përshëndetje të përzemërt guximtarëve të Thumanës dhe Fushë Krujës

Premte, 02 August 2024 21:39
 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur protestuesit e guximshëm të Thumanës dhe Fushë Krujës, të cilët kërkojnë të kenë hyrje-dalje në autostradën Thumanë-Kashar.

‘Përshëndetje të përzemërt guximtarëve të Thumanës dhe Fushë Krujës që po përballen dhëmb për dhëmb me regjimin’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’. 

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Oratorëve tuaj që frymëzojnë shqiptarët me fjalët e tyre.

Të dashur miq, në emër tuaj dua t’u dërgoj një përshëndetje të përzemërt guximtarëve të Thumanës dhe Fushë Krujës që po përballen dhëmb për dhëmb me regjimin për të drejtat e tyre.

Për veprimtarinë e tyre kundër ndëshkimit që Edi Rama me lubinë e tij Balluku iu bëri me segmentin e autostradës Thumanë-Kashar.

Miqtë e mi, duhet të jesh i zhveshur nga çdo ndjenjë të marrësh përsipër t’i përjashtosh nga qarkullimi, t’u shkatërrosh bizneset dhe jetesën qindra e qindra familjeve, ndërkohë që janë ndërtuar në atë zonë autostrada shumë më të gjata dhe nuk kanë krijuar asnjë shqetësim sepse janë vendosur të gjitha hyrjet dhe daljet ashtu siç e meritojnë qytetarët.

Ky ndëshkim që i bëhet zonës së Thumanës dhe Fushë Krujës është një dëshmi tjetër se si shndërrohet në mallkim për qytetarët edhe një punë publike.

Dhe po të kemi parasysh këto janë 21 kilometrat e para që fillohen dhe mbarohen nga kjo qeveri në 11 vite të ekzistencës së saj.

Iu bëj thirrje qytetarëve të Thumanës, iu bëj thirrje qytetarëve të Tiranës, Krujës dhe mbarë Shqipërisë, solidarizohuni me çdo qytetar që mbron të drejtën.

Përshëndes përsëri fermerët e Maliqit, të cilët vazhdojnë protestat për të drejtat e tyre.

Login to post comments