Pagesa për inceneratorin që nuk ekziston, KLSH dhe SPAK: Tarifa 29 euro/ton, fiktive

Saturday, 03 August 2024 15:55
 

Në ditën që SPAK dërgoi në gjyq 12 zyrtarë, kryesisht të nivelit të ulët, për aferën e landfillit të Tiranës, Bashkia e kryeqytetit ka paguar qindra milionë lekë për inceneratorin e Sharrës. 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, për të cilin ish- zv.kryeministri Arben Ahmetaj e konsideron si pronarin real të kompanisë koncesionare “Integrated Energy”, ka firmosur më 1 gusht pagesa me vlerë plot 870 milionë lekë të vjetra ose 870 mijë euro. Pagesat në favor të shoqërisë koncensionare janë kryer në dy këste, siç tregojnë të dhënat e Thesarit të Shtetit. 

Në të njëjtën datë, edhe Bashkia e Durrësit ka paguar një faturë prej më shumë se 250 mijë euro, duke arritur në një total ditor prej 1 milionë euro për kompaninë me pronarë në letra Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin. Bashkitë kryesore të vendit paguajnë 29 euro për depozitimin, përpunimin dhe incenerimin e çdo toni mbeturinash, megjithëse nuk ekziston impianti i djegies së mbetjeve urbane.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar dy vjet më parë që autoritetet përgjegjëse, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, të negociojnë çmimin, pasi shërbimi i ofruar nga koncesionari është gjysmak. Po ashtu, edhe Prokuroria e Posaçme, në njoftimin e shpërndarë këtë të premte, deklaroi se nga hetimi rezultuan të dhëna fiktive në studimin e fizibilitetit, për të rritur në mënyrë fiktive tarifën e depozitimit të mbetjeve 29 euro për ton në landfillin e Sharrës.

Pavarësisht këtyre gjetjeve, bashkia e kryeqytetit dhe vetë Veliaj nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të vënë në lëvizje mekanizmat që do të ndikonin në negocimin e kushteve kontraktuale, me efekt uljen e tarifës për mbetjet.

Përkundrazi, qindra milionë lekë të taksapaguesve të Tiranës vijojnë të paguhen për një kompani të kapur në shkelje të rënda penale, e cila, për më tepër, nuk ofron shërbimin e plotë, pasi nuk ka ndërtuar inceneratorin edhe pse kanë kaluar 7 vjet nga nisja e kontratës.

Kjo qasja e Bashkisë së Tiranës shton gjithnjë e më shumë dyshimet e artikuluara shpesh nga opozita, por të forcuara edhe më tej nga ish-numri 2 i qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili e konsideron Veliajn si një nga njerëzit që e kontrollon në hije kompaninë koncesionare të Sharrës.

“E ka bërë Edi Rama dhe Erion Veliaj”, u përgjigj prerë Ahmetaj gjatë një interviste për “Çim Peka Live”, të transmetuar në fillim të kësaj jave në “Syri Televizion”, kur u pyet se “kush e ka bërë inceneratorin e Tiranës”.

Modifikuar më Saturday, 03 August 2024 16:06
Login to post comments