Himara votoi kundër Ramës/ Oferta e pamoralshme e Tavos për rivalin

Hënë, 05 August 2024 09:41
 
 

Pak minuta përpara orës 7 të mëngjesit, në KZAZ 88 në Himarë u mbyll numërimi i votave për zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak dhe zhurma e fishekzjarrëve mbushi qytetin bregdetar.

Vangjel Tavo mori 5022 vota ose 58.62 % të totalit dhe Petro Gjikuria 3545 vota. 

Himara votoi të dielën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, por gjithsesi asaj i duhet të pranojë kandidatin socialist, i cili fitoi falë votave të marra në shumicë në njësinë administrative Horë Vranisht si dhe në ish-komunën Lukovë.

Rezultati final është që Tavo mori 5022 vota ndërsa Gjikuria, mori 3545 vota. Tavo fitoi me një diferencë prej 1477 votash, nga të cilat, 1024 i fitoi në Horë Vranisht.

Edhe kandidati i Ramës, Vangjel Tavo, dukshëm duke ndjerë humbjen në njësinë Himarë, ftoi në orët e fundit para zgjedhjeve kundërshtarin Petro Gjikuria që të bashkohet me të në rolin e nënkryetarit të bashkisë.

Përgjigjja e Gjikurisë para zgjedhjeve ishte refuzuese.

Partia Socialiste vendosi në vitin 2015 që Bashkisë Himarë t'i bashkojë komunën Lukovë, e cila tradicionalisht ka qenë pjesë e Rrethit Sarandë, si dhe komunën Horë-Vranisht, e cila tradicionalisht ka qenë pjesë e Vlorës. Në kohën kur ky bashkim u krye, Horë-Vranishti dhe Himara nuk ishin ende të lidhura me një rrugë dhe lëvizja u pa si një 'gerrimanderim' i hartës elektorale që synonte të balanconte votat kundër të Himarës, gjë që u vu re edhe në zgjedhjet e së dielës.

Login to post comments