Akuzat e Vuçiç për urën e Ibrit, Kurti ngre dyshime për sulm të mundshëm serb në Kosovë

E mërkurë, 07 August 2024 09:31
 

Deklaratave të bëra sot nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç se Perëndimorët po mbështesin politikën e Albin Kurtit në Veri, referuar debatit mbi hapjen e urës së Ibrit dhe mbylljes së postës serbe, kryeministri i Kosovës i është përgjigjur në platformën ‘X’.

Me një postim drejtuar Vuçiç, shefi i qeverisë në Prishtinë shprehet se Presidenti serb po krijon një atmosferë që ngjall frikë, kur iu drejtohet Perëndimorëve duke thënë se “Albin Kurti po provokon luftë”. 

“Me pretendimet e rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë një atmosferë frike dhe të shkaktojë reagimin e KFOR-it në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet.”

Kurti nënvizon se asnjë shqiptar nuk po marshon në urën e Ibrit dhe nënvizon se mund të ketë një sulm nga ana e Serbisë në territorin e Kosovës, ashtu siç ndodh zakonisht pas akuzave të forta të Vuçiçit, referuar edhe incidenteve të mëparshme, si rasti i Banjskës.

“Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë.”

Login to post comments