Inceneratori i Fierit kthehet në një ‘bombë’ ekologjike

Premte, 09 August 2024 13:59
 

Në një intervistë televizive në maj 2023, pasi kishte siguruar një fitore të thellë në zgjedhjet vendore, kryeministri Edi Rama i cilësoi si parëndësi shqetësimet e ngritura për ndërtimin e inceneratorë të mbetjeve, duke theksuar që nuk fakti nëse ato incenerojnë apo jo është një ‘histori shumë banale e thënë dhe e stërthënë.’

“Kanë qenë zona të detyruara të bashkëjetojnë me vatra kanceri dhe sot i administrojnë dhe i përpunojnë mbetjet me standardet më të larta,” deklaroi Rama për gazetaren Erla Mëhilli në televizionin Euronews Albania.

“Ato janë tre vepra shumë të rëndësishme dhe unë jam shumë krenar që i kemi bërë,” deklaroi Rama, ndërsa shtoi se ‘ato vepra kanë shpëtuar popullata të tëra nga helmi dhe pasojat e helmeve në mushkëri dhe shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.”

Por jo të gjithë bien dakord me deklaratat butaforike të kryeministrit. Banorët e fshatit Vërri ku është ngritur inceneratori i Fierit e shohin impiantin e kontrovers të trajtimit të mbetjeve si kërcënim kryesor për shëndetin e tyre.

“Era është e padurueshme,” tha Përparim Merkaj, ndërsa drejtoi gishtin nga venddepozitimi i inceneratorit të tejmbushur me plehra. “Atje ka vajtur mali 30 metra, as nuk kanë ndërmend ta vënë në punë,” shtoi ai.

 

Merkaj shpjegoi se për shkak se inceneratori nuk punon, ai po përdoret si landfill ku mbetjet hidhen dhe mbulohen me skrep. “Nuk është incenerator, është gropë grumbullimi e plehrave,” theksoi ai.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se landfilli inceneratorit po mbushet shpejt. Megjithatë, shqetësimin për banorët dhe ekspertët e mjedisit nuk është vetëm incenerimi por edhe mungesa e trajtimit të ujërave të ndotura që përbën shqetësim.

Bashkia e Fierit megjithatë këmbënguli se situata nuk ishte emergjente dhe se zgjidhja do vinte me rregullimin e inceneratorit dhe vënien e tij në punë.

“Nuk kemi menduar ndonjë zgjidhje sepse jemi ende ne gjysmën e kapacitetit të zënë në landfill dhe besojmë se nuk do arrijmë në pikën kritike pasi çështja do mbyllet shpejt dhe inceneratori do vihet në punë”, tha Fatjon Elezi, drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit Fier.

Ndërkohë nënkryetari i bashkisë Lushnjë, Elton Korreshi i tha BIRN se ishte i lumtur që mbetjet nuk depozitoheshin më në territorin e administruar prej tij.

“Ne, në bashkinë e Lushnjës nuk kemi marrë ndonjë sinjal alarmi nga bashkia e Fierit që menaxhon landfillin,” tha ai. “Për ne problemi i mbetjeve është zgjidhur me dërgimin e tyre ne landfill sepse Lushnja kishte një fushë mbetjesh që ishte si njollë e zezë për mjedisin dhe shëndetin e banorëve”, shtoi Korreshi.

Mali me mbetje

Afera e inceneratorëve, në Tiranë, Fier dhe Elbasan, u ka kushtuar deri më sot taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro, ndërsa një numër i lartë zyrtarësh publikë janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Mes të dënuarve janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako si dhe tre administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, ndërsa ish.zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati.

Banorët e fshatit Verri në Fier po përjetojnë atë që kishin frikë kur protestuan disa vite më parë kundër ndërtimit të inceneratorit në tokat e fshatit të tyre. Zona rreth inceneratorit është kthyer prej kohësh në një landfill për mbetjet e gjithë qarkut të Fierit, ndërsa impianti incenerimit që kushtoi dhjetëra miliona euro nuk është vënë në punë.

“Ne kemi qenë në protestë, na proceduan, na shoqëruan po doli që kishim të drejtë”, kujtoi Përparim Merkaj, i cili ishte një prej banorëve që iu bashkuan protestave kundër ndërtimit të inceneratorit në këtë zonë.

Landfilli është i vendosur në mes të fushave të këtij fshati dhe në pak vite ai kthye në një mal mbetjesh lehtësisht i dallueshëm nga fotografitë satelitore të publikuara nga aplikacioni ‘Google Earth’.

Inceneratori i Fierit dhe kompania koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” u sekuestruan me urdhër të SPAK në mars të vitit 2022 dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara, AAPKS.

Inceneratori që i kushtoi 28 milion euro taksapaguesve dhe duhej të ishte vënë në punë në vitin 2021, por nuk është akoma në gjendje pune. Ndërkohë, prej janarit 2022 funksionon si landfill për bashkitë e qarkut Fier.

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara i tha BIRN se për periudhën që kjo e fundit administroi depozitimin e mbetjeve në landfill aty u depozituan rreth 82 mijë ton mbetje të ndryshme.

“Në këtë landfill depozitoheshin afërsisht 113 ton mbetje në ditë”, tha AAPKS, në një përgjigje me shkrim.

Nga janari 2024, përmes një kontrate qiraje AAPKS ia kaloi administrimin e zonës së peshores në hyrje të projektit dhe landfillin bashkive të qarkut Fier, ndërsa vetë administron objektin që duhej të ishte djegës, por që aktualisht është jashtë funksionit.

Ndërkohë punonjës të landfillit dhe banorë të zonës rreth tij, panë me shqetësim se si projekti që ishte planifikuar të “shpëtonte” Fierin nga mbeturinat u kthye në një mal mbetjesh.

Punëtorë të landfillit i thanë BIRN se zona e paracaktuar për të mbajtur mbetjet në mënyrë të përkohshme, ndërsa i nënshtroheshin riciklimit dhe djegies, është tashmë e mbushur.

“Dy gropat e vogla janë bosh sepse ato janë për riciklimin kur të vihet në punë inceneratori, njëra është me ujë dhe aty ka vend edhe për një vit sipas asaj që shoh unë”, tha punonjës, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Ndërkohë masa e madhe e mbetjeve duket me sy të lirë në fshat dhe banorët ankohen për erën e rëndë të mbetje me të cilën duhet të bashkëjetojnë.

“ Vjen erë, ne jemi 500 metra larg, po era ndihet”, tha një banorë në kafenenë e fshatit, i cili e lë bisedën në mes, pasi një bashkëfshatar e paralajmëroi se gazetarët të hapin telashe.

Ujërat e ndotura përdoren për vaditje

Pamjet e filmuara dron tregojnë se në territorin e ‘inceneratorit’ të Fierit është krijuar një pirg i madh mbetjesh, ku duken gjurmët e mjeteve që kryejnë procesin e ngjeshjes së tyre. Sipas projektit të inceneraorit, ky grumbull mbetjesh është rrjedhojë e bashkim të dy landfilleve, por që për shkak të mbingarkesës kufijtë e tyre ndarës nuk duken më.

Përveç malit me mbetje dallohen qartë dhe dy gropa të mëdha të mbushura me ujë të zi të njohur nga ekspertët e mjedisit si liksiviatë – ujë i ndotur dhe i pa trajtuar që krijohet nga procesi i dekompozimit të mbetjeve urbane. Sipas ekspertëve mjedisorë liksiviata është mbetje e rrezikshme, pasi ka përqendrim të lartë të azotit, të toksinave dhe prezencë të lartë metaleve të rënda.

Nuredin Kallashi, mjek dhe ish-drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier tha se liksiviata përbënte një vatër potenciale infeksioni dhe kërcënim për shëndetin e banorëve të zonës.

“Shkalla dhe rreziku i këtyre burimeve të infeksioneve duhet matur, por në gropa kaq të mëdha me sasi të tilla mbetjesh është e sigurt se edhe rreziku është i lartë”, tha ai.

Këto ujëra do duhej të përpunoheshin në impiantin e ujërave të ndotura të inceneratorit, por të pyetur nëse ky impiant funksiononte, bashkia Fier dhe AAPSK-ja ia hodhën topin njëra-tjetrës.

Drejtori i bashkisë Fier, Fatjon Elezi tha se impianti i ujërave ishte në administrimin e AAPSK-së

“Nuk di të them nëse punon impianti I filtrimit të ujërave por di që ato ujëra përdoren për vaditje”, tha Elezi për BIRN

Ndërkohë një zyrtar i AAPSK-së, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste, i tha BIRN se agjencia nuk kishte as tagrin dhe as mundësi për të vënë në punë impiante.

“Agjencia menaxhon pronat e sekuestruara por s’ka fond të vendosë impiantet në punë”, tha ai, duke lënë të kuptohej se ujërat e ndotura nuk trajtoheshin.

Modifikuar më Premte, 09 August 2024 14:00
Login to post comments