Koordinatori i Partisë Demokratike për Rajonin e Tiranës, Klevis Balliu, dha një deklaratë ku thekson se shqiptarët përveç çmimeve të larta, duhet të durojnë edhe arrogancën e biznesmenëve që flenë në çadrën e pushtetit.
Deklarata e plotë e Klevis Balliut
Përshëndetje!
Turizmi shqiptar goditet nga dajak Bedini dhe jo nga agjenturat e huaja të shpikura nga Rama dhe karteli i tij mediatik.
Raportimet mediatike pasqyruan se si pronari i një biznesi turistik në Vlorë, aleat i pushtetit, godiste me grushte klientin që kishte ankesat e tij për shërbimin.
Kjo arrogancë e pronarëve që rrahin klientët, që zaptojnë prona publike, nuk pyesin për ligjin ka vetëm një bazë: mbështetjes politike të pushtetit të Edi Ramës.
Kur kryeministri zapton siç bëri me 24 mijë metra në Gjipe, Bedini dhe bedelet e tij në jug e në veri ndjekin modelin e ‘baba Dovletit’.
Kur kumbaresha ministre e Turizmit e trajton parkun Kombëtar të Butrintit si të ishte përkthim i Kurbanit, edhe patronazhistët sillen si pushtues.
Edi Rama instaloi në turizëm modelin e propagandës pa punë dhe çdo punë për të bërë propagandë.
Ai instaloi në industrinë e lehtë të turizmit stilin e rëndë të dajakut.
Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë: a ju kujtohet Mihali i Ramës që kacavirrej sipër makinave të turistëve për t’i rrahur.
Ndërkohe që pronaro-patronazhistët kapin detin dhe kapen me qytetarët, çmimet kane kapur qiellin. Si për qytetarët shqiptarë edhe për të huajt të cilët sivjet e bojkotuan Shqipërinë kur panë se ka artikuj në shtyp por jo infrastrukturë, krahasuar me Maldivet, por edhe çmimet janë të tilla.
Përveç çmimeve, tani shqiptarëve dhe të huajve u duhet të durojnë agresivitetin verbal dhe fizik të biznesmenëve që flenë nën çadrën e pushtetit.
Ndërkohë shqiptarit të thjeshtë i kërkohet të mos zbresë me ‘çadër nga mali’.
Deti i Shqipërisë ka vend vetëm për intelektualët e hurit e të litarit.
Këta duhen hedhur në det, duhen lidhur te Tigrat që nuk punojnë në gjirin e Vlorës.
O sot, o kurrë!