‘Ndiq paratë’, por kompanitë e sekuestruara të zyrtarëve dhe bosëve shtojnë milionat

Hënë, 12 August 2024 14:21
 
 

Në fund të Korrikut 2024, kompania “Net Group”, e lidhur me interesat e ish-drejtorit të Rrugëve të arrestuar, Evis Berberi, u shpall fituese në një tender me vlerë mbi 40 milionë lekë të vjetra, të zhvilluar nga Bashkia e Kukësit.

Vetëm dy muaj më parë, “Net Group” dhe “DAAM”, të dyja me pronar në letra Valter Begaj, ishin pjesë e një grupi kompanish që fituan një tender me vlerë rreth 180 milionë lekë të vjetra nga Bashkia e Tiranës.

 
 
 

Image

 

Shoqëria “DAAM” është vënë nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), menjëherë pas arrestimit të Berberit dhe Begajt, në mars të këtij viti.

Image

Në njoftimin për këtë rast, SPAK shkruante: “Shtetasi Evis Berberi., fillimisht në  cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka  kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “Net Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi Berberi ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM” sh.p.k., të kontrolluar prej tij…”.

Të dhënat e siguruara nga SPAK-u treguan se dy kompanitë, pra “Net Group” dhe “DAAM” ishin pjesë e skemës së dyshuar korruptive. Por, prokurorët e posaçëm sekuestruan vetëm “DAAM”, ndërkohë që kjo masë nuk e ka penguar as këtë shoqëri dhe as tjetrën, “Net Group”, të vijojnë të fitojnë miliona publike.

Situata të tillë, ku kompanitë e zyrtarëve apo personave të lidhur me krimin e organizuar nuk pengohen në aktivitetin e tyre financiar nga veprimet e SPAK-ut, janë të përhapura gjerësisht.

Amant Josifi

Image

Në Shkurt të këtij viti, SPAK-u dërgoi në gjyq të një grupi personash, të cilët akuzohen se janë pjesë e një organizate ndërkombëtare, e përfshirë në mashtrimin e qytetarëve europianë me call-center, për një shumë që llogaritet në rreth 2.4 miliardë euro.

Një ndër personazhet kyç të kësaj skeme është Amant Josifi, një ish-ortak i hershëm biznesi i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, si edhe ish-këshilltar i Olta Xhaçkës, kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.Josifi i shpëtoi një operacioni të dekonspiruar në Tiranë, ndërkohë që u shoqërua dhe më pas u la i lirë në Dubai, për llogari të autoriteteve spanjolle, të cilat ishin epiqendra e hetimit për mashtrimin me call center.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për dërgimin në gjyq të këtij grupi, thuhet ndër të tjera se: “Në vijim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore spanjolle janë gjendur dhe sekuestruar në posedim të shtetasit Amant Josifi (për të cilin jemi dakortësuar që ndjekjen penale ta ushtronin autoritetet spanjolle), subjekte tregtare të administruar nga ai, si dhe familjarëve të tij, llogari bankare me shumat monetare në total në vlerën prej 2 225 868.66 Euro dhe 2 844 936.37 lekë”.

“Boldnews.al” verifikoi të dhënat zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit për subjektet e regjistruara në emër të Josifit.

Rezultojnë dy shoqëri: “MIZU” me status “të pezulluar” dhe “Odyssey”, me status “Aktiv”.

Image

Asnjëra prej tyre nuk rezulton nën sekuestro, siç përmendet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme të 10 Shkurtit 2024.

Milionat për 5D

Kompania “5D”, e cila fshihte interesat pasurore të së paku tre drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, të arrestuar në fund të marsit 2024; Taulant Tusha, Redi Molla e Mariglen Qato, është vendosur nën sekuestro me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Image

E, megjithatë, ky vendim nuk e ka ndalur aspak kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, që të vijojë të paguajë miliona lekë nga taksapaguesit për kompaninë e drejtorëve të tij.

Në 28 maj 2024, pra dy muaj pas arrestimit të drejtorëve të tij, Veliaj nënshkruan dy pagesa, me vlerë afërsisht 10 milionë lekë të vjetra për kompaninë “5D” shpk.

Image

Këto pagesa janë në vijim të kontratës 5 milionë euro të lidhur më herët mes Bashkisë së Tiranës dhe “5D” për rehabilitimin e sheshit, në zonën e Kinostudios.

Miliardat për inceneratorin inekzistent të Sharrës

Në 1 gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme vendosi nën sekuestro kompaninë koncesionare “Integrated Energy bv”, në vijim të hetimeve për aferën e inceneratorit (inekzistent) të Sharrës, në Tiranë.

Megjithatë, kjo situatë e vështirë juridike, nuk ka ndërprerë miliardat që nisen nga autoritetet shtetërore, e kryesisht nga Bashkia e Tiranës, drejt kompanisë me pronarë në letra dy personat në kërkim nga drejtësia, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.

Në Raportin e Koncesioneve të Ministrisë së Financave për vitin 2023, thuhet se kompania koncesionare e Sharrës, “IEBV” ka marrë afërisht 10 milionë euro.

Image

Ndërkohë, pagesat për koncesionarin e Sharrës kanë vijuar rregullisht edhe gjatë vitit 2024, nga ku raportohet se për periudhën Janar-Gusht janë paguar rreth 7 milionë euro.

Asnjë ndalesë pagesash për “Sterlizimin”

Në gusht të vitit 2023, me urdhër të SPAK-ut u arrestuan biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën dyshimet e abuzimit me kontratën koncesionare të Sterilizimit.

Në vijim të këtyre hetimeve, SPAK-u vendosi nën sekuestro kompaninë koncesionare “SaniService”. Edhe kjo kompani ka vijuar të marrë pagesa pa ndalim nga institucionet shëndetësore, pavarësisht akuzave për përfitim të padrejtë të kontratës dhe abuzimeve në zbatimin e saj.

Image

Në Raportin e Koncesioneve të Ministrisë së Financës rezulton se “SaniService”, për vitin 2023, ka arkëtuar nga paratë publike shumën prej 17.5 miliardë lekë të vjetra.

Image

Pagesat kanë vijuar edhe gjatë vitit 2024, por vlera e tyre për momentin nuk është publike, pasi faturat nuk kalojnë nëpërmjet Thesarit të Shtetit, por drejtëpërdrejtë nga llogaritë e Fondit të Kujdesit Shëndetësor, i cili raporton për shpenzimet e vitit paraardhës brenda qershorit të vitit pasardhës.

“Salillari” nën akuzë penale, vijon me tenderat

Image

Në Shkurt 2024, Prokuroria e Tiranës mori të pandehur personin juridik, “Salillari” shpk, administratorin e kompanisë, Lulzim Salillari dhe disa inxhinjerë të saj, të akuzuar për “ndërtim të paligjshëm” në Tiranë.

Hetimet zbuluar se kompania me pronar Pëllumb Salillarin, një prej biznesmenëve shumë të afërt me kryeministrin Edi Rama, kishte ndërtuar disa kate pa leje në një godinë pranë Liqenit të Thatë, në Tiranë, me vlerë që arrin në rreth 3.5 milionë euro.

Ndërkohë që pritet të zhvillohet procesi gjyqësor, kompania “Salillari” vijon të shpallet fituese në tendera publikë, megjithëse është e paqartë se si është pranuar në garë, në mungesë të vërtetimit “të pastër” nga ana e Prokurorisë.

Tenderi më i fundit në radhë, i fituar nga “Salillari” është ai i zhvilluar nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë, me vlerë mbi 1 milionë euro.

Image

Rezultati i këtij tenderi është shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike në 27 Korrik 2024, pra rreth 5 muaj pasi personi juridik është marrë në cilësinë e të pandehurit.

“Strategjiku” Pëllumb Gjoka, i paprekshëm

Kompania “Imperial Group” vijon të jetë e lirë dhe pa asnjë penalitet, megjithëse pronari i saj kryesor, Pëllumb Gjoka, është arrestuar në Korrik të vitit 2023, i akuzuar nga SPAK-u për kryerjen e disa veprave të rënda penale, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ky grup ka shkuar në gjyq në Maj të këtij viti.

Shoqëria “Imperial Group” ka fituar në vitin 2021 statusin e “investitorit strategjik” për projektin me vlerë 52 milionë euro, “Silver Sand Resort”, në Velipojë.

Image

Këtë status, kompania e Pëllumb Gjokës e mori me firmën e kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Investimeve Strategjike.

Po ashtu, edhe një tjetër shoqëri e Gjokës, “Hotel Boutique Lot” është e lirë dhe pa asnjë sekuestro nga SPAK-u. Në këtë hotel, i gjendur shumë pranë qendrës së Tiranës, ushtron aktivitetin një prej vetëm 5 kazinove që janë regjistruar në Shqipëri.

“Alesio 2014” nuk e “ndjen” sekuestrimin

Prej gushtit 2022, kompania “Alesio 2024”, si edhe disa të tjera, të gjitha në pronësi të Anton Gjinaj, janë të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme, ndërkohë që prej mëse një viti po zhvillohet procesi për konfiskimin e tyre.

Image

Prokuroria e Posaçme nisi hetim pasuror Anton Gjinaj, pasi ai rezultoi i dënuar nga autoritetet spanjolle, si pjesë e një grupi që organizonte trafik lëndësh narkotike nga Amerika Latine drejt Europës.

Pavarësisht vendimit për sekuestro, kompania kryesore e Gjinajt, “Alesio 2014”, ka vijuar të përfitojë fonde publike (rreth 300 milionë lekë të vjetra për periudhën 2023-2024, sipas “spending.data”), ndërkohë që vijon aktivitet të ngjeshur edhe si nënkontraktor për kompani të tjera të rëndësishme ndërtimi.

Login to post comments