Porti i Porto Romanos/ Zbulohet kostoja për fazën e dytë, fatura shkon 654 mln euro

Saturday, 17 August 2024 20:34
 
 

Dy javë pas hapjes së tenderin të fazës së parë për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, qeveria ka bërë publike edhe koston e fazës së dytë. Sipas Listës Unike të Projekteve me rëndësi kombëtare, faza e dytë e ndërtimit të portit është parashikuar të kushtojë 261 milionë euro.

Tenderi për fazën e parë është shpallur me një fond limit prej 393 milionë euro. Kjo do të thotë se bashkë me fazën e dytë kostoja totale e ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano arrin në 653 milionë euro.

Nuk dihet nëse këto dy faza e përmbyllin plotësisht koston totale të portit të ri tregtar apo do të ketë më faza të tjera pas tyre. Por e sigurtë është që qytetarët shqiptarë do të paguajnë të paktën 653 milionë euro nga buxheti për të ndërtuar portin e ri të Durrësit në zonën e Porto Romanos, sipas parashikimeve të vet qeverisë.

Porti tregtar ekzistues u vendos të çmontohej pasi qeveria shqiptare ia dha tokën investitorit arab Alabbar për të ndërtuar aty një port turistik si dhe një kompleks të madh rezidencial me kulla dhe vila.

Tenderi i fazës së parë
Tenderi për fazën e parë të ndërtimit të portit u hap në ditën e fundit të muajit të kaluar. Qeveria ka përcaktuar si fond limit vlerën 39.3 miliardë lekë apo rreth 393 milionë euro.

Sipas qeverisë për këtë projekt kanë shprehur interes 15 kompani të mëdha ndërkombëtare. Royal Haskoning do të jetë kompania holandeze e cila në partneritet ne qeverinë shqiptare do të mbikëqyrë të gjithë procesin që nga gara ndërkombëtare deri tek punimet që do të bëhen në port.

Ndërtimi i portit të ri tregtar të Porto Romanos pritet të përfundojë brenda vitit 2028.

Login to post comments