Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe familjarët e tij janë në hetim pasuror nga SPAK-u, ndërsa CNA ka denoncuar ditë pas dite fakte se si kryebashkiaku i Tiranës pasuroi familjarët e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Mamaja dhe daja i bashkëshortes së Veliajt, së bashku me Ajola Xoxën hynë në botën e artit dhe u pasuruan menjëherë pasi Veliaj u bë kryebashkiak i Tiranës.
Përtej parave të marra nga Bashkia e Tiranës, apo institucione si Ministria e Kulturës, Veliaj dhe bashkëshortja e tij njihen për stilin e jetesës luksoze.
Këtë e tregon vila luksoze 3-katëshe në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, tek "Kodra e Diellit", por edhe veshjet e kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij.
Ndonëse Veliaj “e shet” veten si një njeri modest, i thjeshtë dhe sportiv, çmimet e veshjeve të tij tregojnë të kundërtën.
Në fakt, Veliaj është një fans i madh i firmës japoneze "Comme des Garçons", që do të thotë "Si djemtë", që ka gjithashtu një qendër në Paris.
Në daljet e tij, Veliaj shfaqet me bluza me mëngë të shkurtra, këmisha dhe xhaketa sportive të kësaj marke.
Kryebashkiaku i Tiranës duket se ka marrë të gjitha koleksionet e kësaj marke, pasi përveç modeleve të ndryshme, ka marrë edhe të gjitha ngjyrat e secilit model. Të gjitha veshjet kanë një zemër të kuqe apo të zezë.
Çmimet e tyre nisin nga 130 euro dhe shkojnë në qindra euro të tjera, ndërkohë që Veliaj merr një rrogë kryebashkiaku.
(Çmimet e veshjeve të Erion Veliajt)
Edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa vishet me rroba të shtrenjta, të cilat në fakt kapin çmime edhe më marramendëse se ato të Veliajt.
Një fustan i markës “Oscar De La Renta” që Ajola Xoxa ka veshur në një dalje të saj kushton rreth 6 mijë dollarë.
Një tjetër veshje, e markës “Christopher Esber” kushton rreth 1500 dollarë. Po marrim vetëm këto dy veshje për të kuptuar shpenzimet e çmendura të Ajola Xoxës.
Një tjetër fakt që duhet theksuar është edhe kopshti ku shkon djali i Erion Veliaj dhe i Ajola Xoxës.
Ndonëse kryebashkiaku na propagandon kopshtet e çerdhet publike, djalin e tij e dërgon në një kopsht privat. Bëhet fjalë për “Montessori Tirana” që ndodhet pranë Liqenit të Thatë, aty ku Veliaj ka vilën.
Tarifa në këtë kopsht privat është 6100 euro në vit, pa përfshirë këtu transportin dhe shpenzimet e tjera.
Pra, Veliaj që na propagandon e na sillet si një person sportiv, në të vërtetë kryen shpenzime marramendëse për veshjet e tij, të bashkëshortes së tij dhe për kopshtin privat të djalit, të gjitha këto me një rrogë kryebashkiaku.