Kompani, dhjetëra miliona lekë dhe makina/ SPAK-u sekuestron pasuritë e Beqajt dhe të 5 personave të tjerë

E mërkurë, 21 August 2024 14:04
 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar pasuritë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, shoferit të tij, Ermal Kurtulaj dhe 4 personave të tjerë.

Me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO vendosi të sekuestrojë:

1. 14 323 125 (katërmbëdhjetë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) lekë;

2. 15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) euro;

3. 42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;

Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe u përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregtare të personave nën hetim;

 

4. Sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k.

5. Sekuestro preventive mbi tri automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim E.K. dhe E.M.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e  këtyre vendimeve.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale.

Sekuestrimi vjen si shkak i hetimeve të SPAK-ut për abuzimin e SASPAC, institucion që drejtohej nga Beqaj.

Ndaj personave që u përkasin këto pasuri po kryhen hetime për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni  257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, parashikuar nga nenet 143//2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Login to post comments