Inceneratori inekzistent i Tiranës “gllabëron” 20% më shumë para/ Rriten pagesat në 2024

E Enjte, 22 August 2024 10:29
 

Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2024 me destinacion mbështetjen nga buxheti i shtetit për kontratat koncesionare/PPP, sipas planit vjetor të buxhetit 2024 me ndryshime janë në total rreth 14.15 miliardë lekë.

Nga këto, rreth 5.89 miliardë lekë janë investime dhe rreth 8.26 miliardë lekë shpenzime korente.

Ministria e Financave në një analizë të posaçme që i bëri zbatimit të buxhetit 2024 vlerësoi se krahasuar me pagesat faktike vjetore 2023, të cilat arritën vlerën rreth 12.66 miliardë lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2024 janë rreth 1.49 miliardë lekë më të larta ose rreth 11.8% më shumë, konkretisht si rrjedhojë e:

– Planit më të lartë të pagesave 2024 për kontratat ‘Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit’ dhe ‘Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajta e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)’, në referencë të skedulit të pagesave në modelet financiare të miratuara, pjesë integrale e dy kontratave koncesionare përkatëse.

-Planit më të lartë të pagesave për vitin 2024 për kontratën “Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”. Inceneratori i Tiranës, një vepër që nuk ekziston dhe procesi është nën hetim dhe sekuestro nga SPAK-u, do të financohet këtë vit nga taksat e shqiptarëve me 1,27 miliardë lekë ose 20% më shumë (12 mln euro) se në vitin 2023.

Inceneratori inekzistent i Tiranës “gllabëron” 20% më
Inceneratori i Tiranës, burimi CNA
 

Ministria e Financave raportoi se në 5-mujorin 2024, pagesat faktike për kontratat koncensionare rezultojnë në masën rreth 4.65 miliardë lekë ose 32.9% të pagesave të planifikuara vjetore 2024, sipas planit me ndryshime. Krahasuar me të njëjtën periudhë 2023, ato rezultojnë rreth 705.8 milionë LEKË më të larta ose 18% më shumë, që u referohet pagesave më të larta konkretisht për:

Kontratën “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, ku rritja e planit të pagesave vjetore 2024 ka sjellë edhe realizim më të lartë si 5M dhe Kontratën “Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës (Loti 1 dhe Loti 4)”, si rrjedhojë e lëvrimit më herët të fondit vjetor për vitin 2024, nga MAS.

Inceneratori inekzistent i Tiranës “gllabëron” 20% më

Në zbatim të Nenit 4/2 të Ligjit Organik të Buxhetit, shuma totale e pagesave vjetore që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme (NJQP), të cilat rezultojnë nga kontratat PPP, si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat PPP për vitin për vitin 2024, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2023, përllogaritet në rreth 29.9 miliardë LEK. Plani i pagesave 2024 për kontratat konçesionare me PPP, të raportuara nga Autoritetet Kontraktore përkatëse, përbën 2.36% të totalit të të ardhurave tatimore faktike 2023, duke respektuar rregullin fiskal prej ‘jo më shumë se 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës’.

Shumica e kontratave koncesionare me mbështetje buxhetore janë në hetim nga SPAK për kosto të larta dhe shkeljeve të rregullave dhe ligjeve.

Login to post comments