Blushi: Veliajn ta arrestojmë në shtëpi, mos ta lëmë të shkojë në zyre. Dumani një zuzar i tij

E Enjte, 22 August 2024 13:23
 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi duke folur në protestën para bashkisë së Tiranës, u shpreh se ky institucion është kthyer në bankomat të zuzarëve.

Blushi u shpreh se, i vetmi shërbim që ka siguruar Erion Veliaj në këto 3 mandate është afera e inceneratorëve që paguhet çdo ditë për një shërbim që nuk ofrohet.

'Të dashur qytetarë të Tiranës, të cilët prej 22 javësh, protestoni së bashku me ne, përpara këtij monumenti të fëlliqur të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Jemi këtu sepse prej 3 mandatesh, ky institucion nga një institucion në shërbim të qytetarëve, është kthyer në një bankomat të zagarëve dhe të zuzarëve, që sot duhet të ishin pas hekurave.

330 milionë euro është buxheti vjetor i  Bashkisë së Tiranës ose rreth 1 milionë euro në ditë ky institucion ka buxhet për të shpenzuar për të përmirësuar infrastrukturën në kryeqytet, për të dhënë më shumë shërbime dinjitoze për qytetarët,

Për të garantuar 24 orë ujë të pijshëm, për për të garantuar shkolla dhe çerdhe, për të shtuar këndet e çlodhjes dhe hapësirat e gjelbërta, që për fat të keq po asgjesohen dita-ditës duke u kthyer në sheshe ndërtimi, për kullat e drogës.

I vetmi shërbim që për tre mandate, në krye të kësaj  bashkie, që Erion Veliaj ka garantuar, është pikërisht avancimi i aferës së tmerrshme të inceneratorëve.

Sepse, është i vetmi shërbim që për fat të keq, sot vijon pa asnjë pengesë, as nga drejtësia, që ende nuk vazhdon të ndërpresë pagesat, për një shërbim që nuk kryhet.

80 mijë euro në ditë shkojnë në xhepat e pronarit faktik të inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj por ndërkohë Këshilli Bashkiak nuk mblidhet për të ndarë lëmoshën për familjet në nevojë.

1200 lekë të vjetra në ditë jep sot ky institucion, për qytetarët më në nevojë ndërkohë, 80 mijë euro në ditë paguhet për inceneratorin që nuk ekziston.

A mund të vazhdojë ky institucion të funksionojë? A mund të tolerojmë ne, që ky kryetar bashkie që me taksat tuaja, me djersën tuaj, që me gjakun tuaj të pasurohet, dhe ndërkohë ju të vuani për ujë të pijshëm në Shqipërinë e vitit 2024, të mos keni rruge te asfaltuara, te mos keni shkolla  e cerdhe, të mos keni lulishte e hapësira të gjelbra.

Vetëm në 2 muajt e fundit, të paktën 11 leje ndërtimi janë dhënë në Tiranë, në qytetin ku kostoja e jetesës e kalon çdo vend tjetër të rajonit dhe ku të gjithë këto apartamente qe ndertohen janë bosh, sepse jane thjesht  një mënyrë për të konservuar paratë e Erion Velisë, për të pastruar paratë gjigande që ka grumbulluar ky hajdut dhe kriminel, që prej kohësh duhet të ishte nxjerrë prej zverku nga kjo godinë.

Është koha që ne të përshkallëzojmë aksionin opozitar, të përshkallëzojmë protestën, dhe pse jo të protestojmë dhe përpara shtëpisë së këtij hajduti.

Për të mos e lënë të dalë nga shtëpia, për të mos e lënë të hyjë në këtë zyrë, sepse gjithë këto krime që kanë ndodhur në këtë institucion, nuk është faji i 5, apo 12 drejtorëve por është përgjegjësi direkte e Erion Velisë. Që me bekimin e zuzarit Altin Dumani sot vazhdon të vjedhë, ndërkohë që dhjetëra qytetarë sot janë pa shtëpi.

Ndërkohë, që qindra të tjerë, sot presin një lëmoshë nga bashkia e Tiranës, e cila nuk mbledh as Këshillin Bashkiak për të ndarë ndihmën ekonomike, që ju takon këtyre banorëve.

Fundi i Erion Velisë, është i caktuar. Opozita ia ka prerë biletën, ndëshkimit nuk ka për t'i shpëtuar kurrë. Në mos sot, nesër ai do të marrë atë që meriton, dhe të parët do të jeni ju që do të ja jepni këtë ndëshkim, tha gjatë fjalës së tij, Tedi Blushi.

Login to post comments